Sulmuesi Harry Kane vazhdon të shkruajë historinë në Gjermani. Sulmuesi anglez, që iu bashkua Bayern Munich verën e vitit 2023 nga Tottenham, ka arritur një tjetër rekord madhështor: 100 gola me fanellën bavareze vetëm pas 104 ndeshjesh.
Ky është numri më i ulët i takimeve të nevojshme për të arritur shifrën e trefishtë të golave te një ekip i madh i “Top 5” kampionateve evropiane në shekullin 21.
Ky rekord e vendos Kane përpara dy prej sulmuesve më të mëdhenj të futbollit modern. Cristiano Ronaldo arriti kuotën e 100 golave për Real Madrid pas 105 ndeshjesh, ndërsa “makineria norvegjeze” Erling Haaland i shënoi 100 gola për Manchester City në po aq ndeshje.
Për Kane, i cili shpesh është kritikuar për mungesën e trofeve gjatë karrierës te Tottenham, kjo arritje është dëshmia më e fortë e nivelit të tij: një goleador i lindur, i cili ka ruajtur ritmin edhe në një kampionat të ri si Bundesliga dhe gjithashtu në garat evropiane ku Bayern ka shkëlqyer me ndihmën e tij.
Me këtë rekord, sulmuesi i Anglisë konfirmon edhe një herë se është një nga qendërsulmuesit më të mëdhenj të brezit të tij, duke e vendosur emrin krah legjendave të futbollit botëror.
Bayerni ndërkohë këtë edicion po duket skuadër e frikshme, ku ka fituar të gjitha ndeshjet e mundshme në Bundesliga, si dhe debutoi me fitore edhe në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/