Spekulimet për të ardhmen e sulmuesit Harry Kane po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, ndonëse sulmuesi anglez ka kontratë me Bayern Munich deri në verën e vitit 2027.
Sipas raportimeve më të fundit, 32-vjeçari dëshiron të rikthehet në Angli për të ndjekur një objektiv personal historik.
Sipas ekspertit të merkatos, Ben Jacobs nga GiveMeSport, Kane synon të luajë edhe dy sezone në Ligën Premier për të thyer rekordin e legjendës Alan Shearer, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit anglez me 260 gola.
Kane aktualisht numëron 213 gola, dhe një rikthim në Angli në verën e 2026 ose 2027 do t’i jepte mundësinë ta arrijë këtë objektiv.
Sipas “Bild”, kontrata e Kane me Bayernin përfshin një klauzolë lirimi prej 65 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2026, që do ta lejonte të largohej në verën e atij viti.
Harry Kane
Ben Jacobs shton se Manchester United mund të jetë një destinacion potencial:
“Mund ta imagjinoj një skenar ku Manchester United vepron. Kane nuk do të vinte vetëm për të shënuar gola, por edhe për të shërbyer si mentor”.
Megjithatë, vetë Kane në një intervistë për The Guardian ka deklaruar se e sheh të mundur edhe zgjatjen e kontratës me Bayern, duke mos e përjashtuar njëkohësisht as kthimin në Angli në të ardhmen./Telegrafi/