​“Hardh Fest” – Kur Rahoveci bëhet zemra e verës në Kosovë

​“Hardh Fest” - Kur Rahoveci bëhet zemra e verës në Kosovë

Shije të paharrueshme, atmosferë magjike dhe mikpritje që mbetet gjatë në kujtesë


Rexhep Kryeziu, Ekspert i verëtarisë, Zvicër telegrafi.com

Kur lëndina e gjelbër në hyrjen e Rahovecit shndërrohet në një hapësirë madhështore të mbushur me gjallëri dhe ngjyra, në fillim të shtatorit nis një ngjarje unike: festivali më i madh i verës në Kosovë. Në përputhje me traditën, “Hardh Fest” ju fton të festoni me gjithë zemër. Këtu, mikpritja e ngrohtë e rahovecianëve takohet me atmosferën e gjallë festive dhe me stilin tradicional të tregut të rrushit e verës, duke krijuar një përvojë që rrëmben çdo vizitor.

Shija që mbetet gjatë – Atmosferë që të rrëmben

Restorantet shqiptare ofrojnë një mozaik të pasur kulinar: nga specialitetet tradicionale të Anadrinit deri te shijet moderne, të shoqëruara me verëra të shkëlqyera e të larmishme nga varietetet vendase dhe ndërkombëtare. E gjithë kjo zhvillohet në një atmosferë unike tregu bujqësor, ku aromat, ngjyrat dhe zhurma e gjallë e njerëzve e bëjnë përvojën të veçantë dhe të pashlyeshme. Koncerti në ambient të hapur, në sheshin e festivalit, mbledh artistë e grupe të njohura muzikore shqiptare nga trevat e ndryshme, duke e bërë natën plot ritëm, këngë e valle deri vonë. Që nga dita e hapjes e deri te festimet e fundit, kuzhina shqiptare dhe verërat vendase u garantojnë vizitorëve çaste të paharrueshme.

Më shumë se një festival

Edhe këtë vit atmosfera ishte e mrekullueshme, ndërsa vitet që vijnë premtojnë gjithnjë më shumë. “Hardh Fest” mbetet gjithmonë në dispozicionin e kënaqësisë sonë, si një traditë e çmuar që bashkon vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare. Ky festival nuk është thjesht më i madhi i verës në Kosovë, por një copë e gjallë e historisë shqiptare dhe një pasuri e kulturës evropiane që afron njerëz nga afër dhe larg.

Verëtarët, me përkushtimin dhe pasionin e tyre, kontribuojnë që çdo fillimshtator të festohet përsëri e përsëri. Është një magji e veçantë që atmosfera e këtij festivali të rrëmbejë çdo pjesëmarrës. Le të festojmë edicionet e ardhshme të “Hardh Fest” me hare, me muzikë dhe me verërat më të mira të Anadrinit, nga duart mjeshtërore të verëtarëve të Rahovecit!

Një ftesë e hapur për të gjithë

Ata që duan të shijojnë një shumëllojshmëri verërash të shkëlqyera, të kombinuara me ushqime tradicionale e moderne, janë në vendin e duhur- në Sheshin e Verës. Festivali i rrushit dhe verës ofron një përzgjedhje të shijshme: verëra klasike të bardha, kuqe dalluese dhe të stilit rozë, që përfaqësojnë më së miri traditën e kantinave rahoveciane. Në mbrëmjet e freskëta, ushqimet e përgatitura nëpër tenda shoqërohen me muzikë në skenën e përgatitur bukur, për të argëtuar vizitorët që vijnë nga të gjitha anët e trojeve shqiptare.

telegrafi.com

“Hardh Fest” mbetet një ftesë e hapur për ta shijuar Rahovecin me të gjitha shqisat – mes verës, muzikës dhe mikpritjes që nuk shuhet kurrë. /Telegrafi/