Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar Mitrovicën bashkë me kandidatin për kryetar të kësaj komune, Qazim Nimanin.
Haradinaj tha se Nimani ka qenë gjithmonë aktiv në çështjen kombëtare, dhe, sipas tij, i ka shërbyer qytetarëve edhe në kohët më të rënda të okupimit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se si AAK, kanë qenë të përkushtuar për Mitrovicën dhe për Veriun e vendit, dhe sipas tij, numri 174 është zgjidhja për një Mitrovicë që bën “Dritë” në jetën e përditshme të çdo qytetari, transmeton Klankosova.tv.
“Mitrovica, që nga ditët e para të angazhimit tonë për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë, ka qenë gjithmonë pjesë e kauzës sonë. Që atëherë e deri më sot, kemi qenë të përkushtuar për Mitrovicën dhe për Veriun e vendit. Kam qenë gjithmonë pranë njerëzve të vyeshëm e atdhetarë të Mitrovicës dhe të gjithë kësaj treve. E përkrahëm pa rezervë me projekte të shumta zhvillimore dhe mbi të gjitha, i kthyem Trepçën në pronësi të Kosovës, edhe ligjërisht. Vetëm në këtë komunë, si kryeministër i drejtuam mbi 121 milionë euro në projekte madhore. Prandaj, Mitrovica ka arsye të forta ta mbështesë konceptin “Dritë për Mitrovicën”, sepse sa herë që kemi marrë përgjegjësi, kemi dëshmuar rezultate”.
“Qazim Nimani, kandidati ynë për kryetar të Mitrovicës, ka qenë gjithmonë aktiv në çështjen kombëtare, duke i shërbyer qytetarëve edhe në kohët më të rënda të okupimit, si dhe në funksione të rëndësishme gjatë shtetndërtimit. Ai dhe lista jonë për Asamble kanë për t’ia rikthyer qytetit madhështinë që meriton. Vota për numrin 174 është zgjedhja për një Mitrovicë që bën Dritë në jetën e përditshme të çdo qytetari”, ka shkruar i pari i AAK-së.
The post Haradinaj: Numri 174, zgjidhja për një Mitrovicë që bën Dritë appeared first on Klan Kosova.