Kryetari aktual i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka vlerësuar rolin e mësimdhënësve në edukimin e brezave dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar ndër vite.
“Gjatë gjithë historisë sonë, mësuesit kanë qenë shtylla kryesore në edukimin e brezave, duke mbjellë dijen dhe frymëzuar rezistencën kombëtare. Breza të tërë u formësuan në bankat e shkollës shqipe me idealin për liri”, shkroi i pari i AAK-së, transmeton Klankosova.tv.
Haradinaj ka përmendur edhe rëndësinë historike të Mësonjëtorja e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, për të cilën tha se nuk ishte vetëm një shkollë, por edhe një betejë dhe fitore për të ardhmen e arsimit shqip.
“Mësonjëtorja e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, nuk ishte thjesht një shkollë, ishte betejë dhe një fitore për të ardhmen. Mësuesit edhe sot mbeten të shenjtë ndër ne. Për këtë arsye, si shtet dhe si shoqëri duhet t’i trajtojmë me respektin dhe dinjitetin që meritojnë, jo vetëm në një ditë simbolike, por në çdo ditë të punës dhe të jetës së tyre. Mirënjohje e përhershme për gjithë mësimdhënësit për punën dhe përkushtimin e tyre! Gëzuar 7 Marsin!”, shkroi Haradinaj. /Klankosova.tv


