Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar sot Hanin e Elezit në kuadër të aktiviteteve të fushatës së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Ai tha se në vitin 2005, si kryeministër, kishte marrë vendimin për krijimin e Komunës së Hanit të Elezit, edhe pse siç tha ai, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga shumëkush.
“Si kryeministër, isha i vendosur që Hani i Elezit të bëhej komunë, edhe pse shumëkush më kundërshtonte. Sot, shumë prona që dikur duhej t’i ktheheshin Hanit të Elezit janë kthyer, një fitore për të gjithë qytetarët,” u shpreh Haradinaj.
Kreu i AAK-së gjithashtu tha se Hani i Elezit duhet të shndërrohet në një zonë moderne.
“Si komunë kufitare, Hani i Elezit ka nevojë për mbështetje dhe zhvillim. Duhet të shndërrohet në një zonë moderne, sepse është pasqyra e parë për këdo që hyn në Kosovë”.
“Për këtë arsye kemi përzgjedhur kandidatë kompetentë dhe të përgjegjshëm. Listës së Aleancës i prin Menduh Vlashi, i dëshmuar si në përpjekjet për liri por edhe në shtetndërtim. Ai ka pranë një ekip të mrekullueshëm kandidatësh për Asamble, që do të punojnë për zhvillim dhe përmirësim të jetës së qytetarëve”, u shpreh tutje ai.
The post Haradinaj: Më 2005-ën e bëmë Hanin e Elezit komunë, sot duhet ta kthejmë në zonë moderne appeared first on Klan Kosova.