Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka kundërshtuar vendimin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacollit për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit.
Haradinaj e ka cilësuar këtë vendim si një qasje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti.
“Vendimi i ministres në detyrë, Fitore Pacolli, për të ndaluar transportin e materialeve ndërtimore në Bjeshkët e Nemuna, me arsyetimin e mbrojtjes së ekosistemit, është një shembull i qartë i një qasjeje të paditur dhe të shkëputur nga realiteti. Pa e njohur terrenin, pa e kuptuar jetën e njerëzve që jetojnë atje dhe pa ndjerë vështirësitë e tyre, po merren vendime që godasin drejtpërdrejt familjet, fshatrat dhe ekonominë lokale. Rugova dhe Bjeshkët e Nemuna nuk janë thjesht një zonë natyrore në hartë, ato janë zona të banuara me 13 fshatra, ku njerëzit jetojnë, ndërtojnë, punojnë dhe përpiqen të zhvillojnë ekonominë e tyre në kushte tashmë të vështira infrastrukturore.”, shkroi Haradinaj në ‘Facebook’.
Kujtojmë se ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ditë më parë ka marrë vendim që të ndalohet rreptësisht çdo lloj aktiviteti ndërtimor pa leje brenda Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri” në Kosovë.
Ajo në një postim në Facebook kishte thënë se ky është hapi i parë në përpjekjen për të rikthyer ligjshmërinë dhe rendin në zonat e mbrojtura.
“Me këtë vendim ndalohet qarkullimi për të gjitha mjetet e transportit që bartin material ndërtimor, mjetet e rënda të punës dhe makineritë e specializuara për ndërtim, brenda zonave të Parqeve Kombëtare në Republikën e Kosovës, pa leje apo autorizim të posaçëm lëshuar nga MMPH.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


