Hapen të gjitha qendrat e votimit në Deçan

Hapen të gjitha qendrat e votimit në Deçan

Të gjitha qendrat e votimit në komunën e Deçanit janë hapur me kohë. Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga ushtruesi i detyrës së zyrtarit ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Fatmir Cacaj i cili tha se materiali sensitiv zgjedhor është shpërndarë me kohë.

“Të gjitha qendrat e votimit në Deçan janë hapur me kohë, edhe materiali sensitiv zgjedhor është shpërndarë me kohë”, tha ai.


Në garë për të parin e Deçanit janë Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje, Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës, Jeton Mushkolaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, Shkumbin Demakuja nga Iniciativa Demokracia dhe Shefqet Tolaj nga Guxo.

Në komunën e Deçanit të drejtë vote kanë 43 mijë e 759 qytetarë prej tyre 41 mijë e 444 janë votues brenda në Kosovë dhe 2 mijë e 320 votues nga diaspora.

Votimi për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në këtë komunë organizohet në 14 qendra të votimit me gjithsej 50 vendvotime të rregullta dhe 1 vendvotim me kusht.

Në zgjedhjet e kaluara lokale garën për të parin e Deçanit e fitoi Bashkim Ramosaj nga AAK. /Kp/