Barcelona rikthehet në Ligën e Kampionëve të mërkurën me një përballje tepër interesante kundër Paris Saint-Germain në “Estadi Olimpic Lluis Companys” në Montjuïc.
Katalanasit do të synojnë të marrin dy fitore nga dy ndeshje në fazën e grupeve, pasi fituan ndaj Neëcastle United në javën e parë.
Sipas Diario AS, Hansi Flick foli për këtë përballje gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes, ku pranoi se e sheh skuadrën e tij si favorite për të marrë fitoren ndaj kampionëve të sezonit të kaluar.
“Duhet të punojmë në planin tonë të lojës. Nesër nuk do ta kemi të lehtë, sepse PSG gjithashtu e do topin, ata ushtrojnë presion mire”.
“Që nga sekonda e parë deri në minutën e fundit, duhet të luajmë në nivelin tonë më të lartë. Kjo është Liga e Kampionëve. Ne jemi Barcelona. Jemi favoritë, por kjo është punë e vështirë, një rrugë e gjatë”.
Përgatitjet për ndeshjen janë dominuar nga problemet me lëndimet, me të dyja skuadrat të prekura njësoj si Barcelona ashtu edhe PSG.
Flick dha mendimin e tij nëse e sheh këtë si kohën e duhur për të sfiduar gjigantët e Ligue 1.
“Nuk e di nëse është koha e duhur për të luajtur ndaj PSG. Është një garë ndryshe, kemi luajtur ndaj skuadrës më të mirë sezonin e kaluar. Më pëlqen stili i tyre. Më pëlqejnë lojtarët dhe trajneri i tyre”.
“Kalendari është pjesë e këtij biznesi, duhet të përballesh me çështjen e lëndimeve. Çdo trajner do t’i ketë lojtarët e vet gati për të luajtur, por kjo është pjesë e lojës. Ajo që shpresojmë është që të jetë një ndeshje e mirë”, ka deklaruar tekniku gjerman./Telegrafi/