Hamasi pranon planin e Trump, liderët ndërkombëtarë reagojnë

news image

Pas përgjigjes pozitive të grupit palestinez Hamas ndaj dokumentit për armëpushimin në Gazë të propozuar nga SHBA-ja, kanë reaguar edhe liderët botërorë.

Liderët botërorë kanë mirëpritur deklaratën e Hamasit se pranon disa pjesë të planit prej 20 pikësh për paqe të propozuar nga Trump, ndërsa disa pika të tjera kërkojnë rinegocim.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha: “I bëj thirrje të gjitha palëve të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë fund këtij konflikti tragjik në Gaza”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shtoi: “Përgjigjja e Hamasit ndaj planit për vendosjen e një armëpushimi në Gaza përbën një hap konstruktiv dhe të rëndësishëm drejt arritjes së paqes së qëndrueshme”.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, theksoi: “Lirimi i pengjeve dhe paqja për Gazën janë tashmë të arritshme… Pas gati dy vitesh, kjo është mundësia më e mirë për paqe”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi: “Lirimi i të gjithë pengjeve dhe një armëpushim në Gaza janë brenda mundësive! Angazhimi i Hamasit duhet të pasohet menjëherë me veprime”, raporton BBC.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha: “Prioriteti i të gjithëve tani duhet të jetë arritja e një armëpushimi që çon në lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve. Italia mbetet e gatshme të japë kontributin e saj.”

Kryeministri kanadez, Mark Carney, shtoi: “Inkurajojmë të gjitha palët që menjëherë të punojnë për ta kthyer këtë angazhim në realitet”.

Sir Keir Starmer vlerësoi pranimin e pjesshëm të planit të paqes nga Hamasi si një “hap i rëndësishëm përpara” dhe bëri thirrje për një “marrëveshje pa vonesë. Tani ekziston një mundësi për t’i dhënë fund luftimeve, që pengjet të kthehen në shtëpi dhe që ndihma humanitare të arrijë tek ata që kanë kaq shumë nevojë për të. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta zbatojnë marrëveshjen pa vonesë”.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, përmes rrjeteve sociale deklaroi se kjo është një ditë e madhe për Lindjen e Mesme:

“Bazuar në deklaratën e publikuar nga Hamasi, besoj se ata janë të gatshëm për paqe të përhershme. Izraeli duhet menjëherë të ndalojë bombardimet në Gazë, në mënyrë që të mund të shpëtojmë pengjet në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë! Aktualisht është shumë e rrezikshme për ta bërë këtë. Ne tashmë jemi në bisedime për detajet që duhen përpunuar. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Gazën, por me paqen e shumëkërkuar në Lindjen e Mesme”, deklaroi lideri amerikan.

Lëvizja Hamas publikoi të premten në mbrëmje përgjigjen zyrtare për përfundimin e luftës në Gazë, disa orë pasi ai dha një ultimatum që deri të dielën në orën 18:00, sipas kohës së Uashingtonit, të pranohet plani i paqes, përndryshe do të pasojë “ferri që bota nuk ka parë ndonjëherë”.

Në deklaratë, Hamasi bëri të ditur se, pas konsultimeve të gjera me udhëheqësinë e tij, fraksionet palestineze, ndërmjetësuesit dhe “shtetet mike”, ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht pikave kyçe të propozimit.

Militantët theksuan se vlerësojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë iniciativën e presidentit Trump, me synimin për përfundimin e luftës, shkëmbimin e të burgosurve, hyrjen urgjente të ndihmës humanitare, ndalimin e okupimit dhe ndalimin e zhvendosjes së popullit palestinez.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/