Grupi militant palestinez Hamas ka konfirmuar të shtunën vdekjen e Mohammad Sinwar, një nga figurat kryesore ushtarake të grupit në Rripin e Gazës. Ai ishte vëllai më i vogël i Yahya Sinwar, liderit të fraksionit islamist, i cili gjithashtu u vra më parë gjatë konfliktit me Izraelin.
Hamasi nuk dha detaje rreth rrethanave të vdekjes së Mohammad Sinwar, por publikoi fotografi të tij së bashku me liderë të tjerë, duke i përshkruar ata si “martirë”.
Izraeli kishte pretenduar se e kishte vrarë atë në një sulm ajror në muajin maj, por kjo është hera e parë që lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Hamasi.
Pas vdekjes së tij, në krye të krahut të armatosur të Hamasit në të gjithë Gazën pritet të jetë Izz al-Din Haddad, bashkëpunëtor i ngushtë i Sinwarit, i cili aktualisht mbikëqyr operacionet në Gazën veriore.
Sipas agjencisë Reuters, Mohammad Sinwar kishte fituar ndikim të madh në strukturën ushtarake të Hamasit, sidomos pas vrasjes së vëllait të tij, një nga bashkë-organizatorët kryesorë të sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!