Hamasi bën thirrje për shkëmbim të shpejtë pengjesh-të burgosurish me Izraelin, ndërsa bisedimet pritet të fillojnë

Hamasi bën thirrje për shkëmbim të shpejtë pengjesh-të burgosurish me Izraelin, ndërsa bisedimet pritet të fillojnë

Hamasi të dielën bëri thirrje për një fillim të shpejtë të një shkëmbimi pengjesh-të burgosurish me Izraelin, ndërsa negociatorët nga të dyja palët përgatiten të takohen në Egjipt për bisedime vendimtare që synojnë t’i japin fund luftës gati dyvjeçare në Gaza.

Ministrat e jashtëm të disa vendeve, përfshirë Egjiptin, thanë se bisedimet ishin një “mundësi reale” për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm.


“Hamasi është shumë i etur të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe të fillojë menjëherë procesin e shkëmbimit të të burgosurve në përputhje me kushtet në terren”, ka thënë një zyrtar i lartë i Hamasit për AFP-në në kushte anonimiteti.

Nxitja diplomatike vjen pas përgjigjes pozitive të grupit militant palestinez ndaj planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftimeve dhe lirimin e robërve në Gaza në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Macro Rubio, të dielën i kërkoi Izraelit të ndalojë bombardimin e Gazës përpara diskutimeve në Egjipt.

“Nuk mund të lironi pengje në mes të sulmeve, kështu që sulmet do të duhet të ndalen”, tha Rubio në emisionin e CBS News “Face the Nation”.

Negociatorët do të mblidhen në qytetin turistik egjiptian Sharm El-Sheikh, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që shprehu shpresën se pengjet mund të lirohen brenda pak ditësh.

Një zëdhënës i qeverisë izraelite tha se delegacioni i vendit do të nisej të dielën në mbrëmje, me bisedimet që janë planifikuar të fillojnë të hënën – në prag të përvjetorit të dytë të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 që shkaktoi luftën.

Kajro konfirmoi se do të priste një delegacion nga Hamasi për bisedime mbi “kushtet në terren dhe detajet e shkëmbimit të të gjithë të ndaluarve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë”.

Shtëpia e Bardhë tregoi se Trump kishte dërguar gjithashtu dy të dërguar në Egjipt – dhëndrin e tij Jared Kushner dhe negociatorin e Lindjes së Mesme, Steve Witkoff.

Militantët morën peng 251 gjatë sulmit të tyre të 7 tetorit, 47 prej të cilëve janë ende në Gaza. Nga këta, ushtria izraelite thotë se 25 janë të vdekur.

Sipas planit të Trump, në këmbim të pengjeve, Izraeli pritet të lirojë 250 të burgosur palestinezë me burgim të përjetshëm dhe më shumë se 1,700 të paraburgosur nga Rripi i Gazës që u arrestuan pas fillimit të luftës.

Por Trump ka paralajmëruar se “nuk do të tolerojë vonesë” nga Hamasi, duke i kërkuar grupit të lëvizë shpejt drejt një marrëveshjeje “përndryshe të gjitha do të anulohen”. /Telegrafi/