Paralelja III e klasës së pestë në shkollën fillore “Mihal Grameno”, aneksi 1 në Fushë Kosovë, mbeti gati dy javë pa mësuese. Situata u krijua pasi mësuesja që i kishte mësuar nxënësit për katër vjet ishte në pushim të lehonisë, ndërsa mësuesja zëvendësuese vendosi të largohej nga puna pasi kishte gjetur një vend tjetër pune. Për largimin e saj, prindërit u njoftuan vetëm një ditë më herët përmes një mesazhi në grupin e përbashkët në Viber.
Sipas prindërve dhe nxënësve, gjatë kësaj kohe herë pas here në klasë hynin mësimdhënës nga paralelet e tjera, por vetëm për pak minuta në fillim të orës mësimore. Pjesën tjetër të kohës, klasa mbetej pa mbikëqyrje dhe shpeshherë mbizotëronin zhurma dhe lojërat. Disa prindër thonë se për shkak të kësaj situate madje vendosën për disa ditë të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Drejtori i aneksit 1 të kësaj shkolle, Sadri Emini, thotë se mësuesja zëvendësuese e kishte njoftuar shkollën për largimin e saj rreth dy javë më herët dhe sipas tij procedurat administrative nuk lejojnë zëvendësim të menjëhershëm. Ndërkohë, drejtori i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Adriatik Zeqiri, tha se largimi i mësueses ishte i papritur për komunën.
Situata mori një kthesë kur mësuesja që ishte në pushim të lehonisë vendosi të kthehet përkohësisht në klasë pasi mësoi se disa nga nxënësit e saj nuk po shkonin në shkollë. Ndërkohë, në klasë erdhi edhe një mësuese e re zëvendësuese, e cila do ta mbajë mësimin deri në përfundim të pushimit të lehonisë.
Njohësi i arsimit Rinor Qehaja thotë se probleme të tilla krijohen për shkak të menaxhimit të dobët nga drejtoritë komunale të arsimit. Sipas tij, legjislacioni parasheh që gjatë verës të krijohen lista pritjeje të mësimdhënësve, nga të cilat komunat mund të ftojnë kandidatët për zëvendësime gjatë vitit shkollor, por kjo procedurë jo gjithmonë zbatohet.
Për të gjitha informacionet, përfshirë palët e përfshira në këtë çështje, detajet i gjeni në videot e mëposhtme.


