Një skenë e pabesueshme është regjistruar në sheshin Sant Josep Oriol në Barcelonë, ku një hajdut përdori këmbën për të vjedhur një çantë nga një tavolinë bari, fare pranë pronarëve të saj dhe nën sytë e dhjetëra kalimtarëve.
Hajduti, i veshur si turist, u përzie me turmën dhe me një lëvizje të shkathët me këmbën e majtë, e tërhoqi çantën disa metra larg tavolinës, pa u vënë re nga askush. Ai qëndroi i palëvizshëm për disa sekonda, për të parë nëse dikush e kishte vërejtur, dhe më pas e mori çantën, e futi në një tjetër dhe u largua qetësisht, duke bërë sikur ishte në një telefonatë.
Sipas mediave spanjolle, pamjet e kamerave tregojnë qartë momentin kur ndodh vjedhja. Mendohet se hajduti ka përdorur këtë metodë të sofistikuar edhe më parë, duke përfituar nga rrëmuja në sheshet turistike të qytetit.
Policia katalanase ka bërë të ditur se nuk ka pasur arrestime, por ka theksuar se është e zakonshme që kriminelët maskohen si turistë për të kaluar pa u vënë re.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!