Guvernatori Ismaili paraqet arritjet e Kosovës në panelin e FMN-së për qëndrueshmërinë financiare

Guvernatori Ismaili paraqet arritjet e Kosovës në panelin e FMN-së për qëndrueshmërinë financiare

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili mori pjesë në panelin e nivelit të lartë të FMN-së me temën “Forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar në kohë të pasigurive – Ndërtimi i kapaciteteve në vendet në zhvillim dhe ekonomitë në tranzicion”, gjatë takimeve vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Ëashington D.C. të SHBA-së.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se paneli u moderua nga Catriona Purfield, drejtoreshë e Institutit të FMN-së për Zhvillimin e Kapaciteteve, përfshinte folës të shquar nga FMN-ja: Dan Katz, zëvendës drejtor i parë menaxhues, Tobias Adrian, krye-financier dhe drejtor i departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitalit me kontributin e Bert Kroese, krye-statistikan dhe drejtor i Departamentit të Statistikave.


Ndërkaq, siç thuhet në njoftim guvernatori Ismaili paraqiti arritjet kryesore të Kosovës në forcimin e sistemit financiar përmes Rishikimit të Qëndrueshmërisë së Sektorit Financiar (FSSR) të FMN-së, duke nënvizuar reformat në mbikëqyrjen bazuar në rrezik, monitorimin e rrezikut sistemik, politikën makroprudenciale, avancimet në statistikat financiare dhe përfshirjen financiare.

“Ai vuri në dukje se këto përpjekje kanë kontribuar gjerësisht në largimin e Kosovës nga lista e vendeve fragjile dhe konfliktuale të Bankës Botërore dhe FMN-së dhe në marrjen e vlerësimit të parë sovran kreditor nga Fitch Ratings”, thuhet në njoftim.

Tutje, sipas njoftimit bëhet e ditur Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e vlerësimeve të rreziqeve me qasje drejt të ardhmes, përfshirë rreziqet e reja nga FinTech-et dhe jo-bankat, dhe rolin e kapacitetit analitik, të dhënave, sistemeve, duke përfshirë inteligjencën artificiale, në ruajtjen e stabilitetit financiar.

“Guvernatori Ismaili falënderoi drejtuesit e FMN-së, donatorët dhe partnerët për mbështetjen e reformave të Kosovës, duke nënvizuar se arritjet e vendit reflektojnë përkushtimin e organeve drejtuese, angazhim të stafit dhe programet dhe asistencë teknike efektive. Pjesëmarrja e Guvernatorit Ismaili në panelin e sotëm dëshmon progresin e vazhdueshëm dhe arritjet konkrete të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, e shfaqur para një audience të gjerë ndërkombëtare në një sesion të transmetuar drejtpërdrejt nga FMN-ja”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/