Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se e mbështet plotësisht deklaratën e shefit të Zyrës së BE-së, Aivo Orav, i cili pohoi se ndërhyrjet politike në gjyqësor janë të papranueshme.
Reagimet e Orav dhe Guerot në X erdhën pas atyre të Qeverisë në detyrë që pasuan vendimin e së martës së Gjykatës Supreme për arkat fiskale.
Guerot shpërndau postimin e Orav në X, i cili thoshte: ““Krerët e Misioneve të BE-së diskutuan situatën pas vendimit të Gjykatës Supreme. Sulmet kundër gjyqtarëve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”.
Mbi këtë tekst, Guerot shkroi: “Mesazh i rëndësishëm i dhënë nga BE-ja pasi diskutuam këtë çështje. Mbështetje e plotë”.
Gjykata Supreme një ditë më parë e ka shfuqizuar udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, me të cilin u pezulluan për 60 ditë shitjet dhe abonimet e arkave fiskale.
Udhëzimi administrativ, i nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave më 15 prill të këtij viti, është shpallur i jashtëligjshëm. /Klankosova.tv
The post Guerot e mbështet qëndrimin e Oravit për vendimin e Supremes për arkat fiskale appeared first on Klan Kosova.