Marc Guehi ka theksuar se mbetet plotësisht i fokusuar te Crystal Palace, pavarësisht se transferimi i tij te Liverpooli dështoi në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Kapiteni i Palace ishte shumë pranë një marrëveshjeje me kampionët e Anglisë, por transferimi prej 35 milionë funtesh u anulua pasi londinezët nuk arritën të gjenin një zëvendësues të përshtatshëm në kohë.
Duke folur para ndeshjes së Palace në Ligën e Konferencës ndaj Dynamo Kyiv, 25-vjeçari foli për herë të parë për transferimin që i dështoi në Anfield.
“Nuk kam shumë për të thënë, për të qenë i sinqertë. Jam i përqendruar të luaj futboll dhe të jap maksimumin për këtë klub. Tifozëve dua t’u them faleminderit për mbështetjen, e ndiej fort”, tha Guehi.
Ai shtoi se nuk e sheh veten të shpërqendruar nga ngjarjet e fundit.
“Është diçka për të cilën nuk mendoj fare. Fokusi im është vetëm te klubi. Nuk jam i shqetësuar për arritje personale, për sa kohë që ekipi është aty ku duhet të jetë, unë jam i lumtur”.
Mbrojtësi anglez theksoi se Palace synon të rritet edhe më shumë.
“Kur ke shijuar suksesin, nuk je kurrë i kënaqur dhe gjithmonë do më shumë. Të gjithë në klub përpiqen të arrijnë më shumë. E dimë çfarë jemi të aftë të bëjmë dhe nëse mbajmë kokën ulur, mund të kemi edhe më shumë mundësi”, përfundoi mbrojtësi anglez.
Guehi në verë do të mbetet i lirë dhe Liverpool pritet të provojë sërish transferimin e tij. /Telegrafi/