Trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola pranoi se skuadra e tij u përball me vështirësi të mëdha në barazimin 1-1 kundër Arsenalit në “Emirates”, duke theksuar se londinezët merituan më shumë nga ndeshja.
Manchester City kaloi në epërsi herët me golin e Erling Haaland, ndërsa dukej se do të merrte tri pikët deri në minutën e 93-të, kur Gabriel Martinelli shënoi golin e barazimit për Arsenalin pas hyrjes nga stoli.
Guardiola pas ndeshjes deklaroi se Arsenali në përgjithësi ishte më e mirë, megjithatë rezultati ishte i drejtë.
“Është e vështirë të bësh një analizë pas gjithë asaj që ka ndodhur këtë javë. Luajtëm ndaj United, pastaj në Ligën e Kampionëve të enjten dhe sot përsëri. Skuadrat janë jashtëzakonisht të fuqishme në çdo aspekt”.
‘Është shumë e vështirë kur nuk je efektiv në presing apo në ndërtimin e aksioneve. Patëm disa tranzicione, por në përgjithësi Arsenali ishte më i mirë. Mendoj se rezultati është i drejtë”.
Ky rezultat e lë skuadrën e Guardiolës të vazhdojë garën e ngushtë për kreun e tabelës, ndërsa Arsenali merr një pikë të çmuar përpara tifozëve të vet./Telegrafi/