Një studim i ri ka zbuluar se grupi i gjakut mund të ndikojë në rrezikun për të pësuar goditje në tru (insult), duke treguar se mënyra se si është ndërtuar biologjikisht trupi ynë ndikon drejtpërdrejt në shëndet
Që në vitin 2022 ishte vërejtur lidhja mes grupit të gjakut dhe rrezikut për goditje në tru, por hulumtimet e fundit e kanë thelluar edhe më shumë këtë njohuri.
Grupi i gjakut dhe rreziku nga goditja në tru
Ndoshta jeni të njohur me grupet e gjakut A, B, AB dhe O, të cilat përcaktohen nga prania e markuesve kimikë (antigjeneve) në sipërfaqen e qelizave të kuqe të gjakut. Edhe brenda këtyre grupeve kryesore ekzistojnë nënvariante të vogla, të shkaktuara nga mutacione gjenetike.
Në këtë studim, shkencëtarët analizuan të dhënat nga 48 hulumtime gjenetike, që përfshinin rreth 17.000 pacientë me goditje në tru dhe afro 600.000 persona pa histori të tillë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të moshës 18–59 vjeç.
Rezultatet zbuluan një lidhje të qartë midis gjenit që përcakton nënvariantin A1 të grupit të gjakut dhe rrezikut të shtuar për goditje në tru në moshë të re.
Sipas studimit, personat me grupin e gjakut A kishin 16% rrezik më të lartë për të pësuar goditje në tru para moshës 60 vjeç, ndërsa ata me grupin O1 kishin 12% rrezik më të ulët, raporton Science Alert, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky rrezik shtesë është i vogël dhe nuk kërkon shqetësim apo kontrolle më të shpeshta mjekësore.
“Ende nuk e dimë saktësisht pse grupi A bart një rrezik më të lartë”, thotë Dr. Steven Kittner, neurolog vaskular në Universitetin e Maryland-it.
“Ndoshta lidhet me faktorët e koagulimit të gjakut, si trombocitet, qelizat që mbulojnë enët e gjakut dhe proteinat e tjera që marrin pjesë në formimin e mpiksjeve.”
Çfarë do të thotë kjo në praktikë
Edhe pse rezultatet mund të tingëllojnë shqetësuese, ato duhen parë në kontekst. Në Shtetet e Bashkuara, çdo vit ndodhin rreth 800.000 goditje në tru, dhe rreth 75% e tyre tek personat mbi 65 vjeç. Rreziku pothuajse dyfishohet çdo dhjetë vjet pas moshës 55 vjeç.
Pjesëmarrësit në studim jetonin në Amerikën e Veriut, Evropë, Japoni, Pakistan dhe Australi, ndërsa personat me origjinë jo-evropiane përbënin vetëm 35% të kampionit. Studiuesit theksojnë se hulumtimet e ardhshme me popullata më të larmishme mund të ndihmojnë në kuptimin më të saktë të këtyre gjetjeve.
Një analizë tjetër interesante tregoi se rreziku i shtuar te grupi A lidhet vetëm me goditjet e hershme, ndërsa goditjet që ndodhin pas moshës 60 vjeç kanë shpesh mekanizma të ndryshëm, më së shumti të lidhur me aterosklerozën.
Po ashtu, studimi vuri re se personat me grupin e gjakut B kishin rreth 11% rrezik më të lartë për goditje në tru, pavarësisht moshës.
Lidhja me sëmundjet kardiovaskulare
Hulumtime të mëparshme kanë treguar se gjenet e sistemit ABO, që përcaktojnë grupin e gjakut, mund të lidhen me kalcifikimin e arterieve koronare dhe rrezikun më të lartë për infarkt në zemër.
Gjithashtu, variantet gjenetike A dhe B janë lidhur me një rrezik pak më të lartë për trombozë venoze (mpiksje gjaku në venat e thella).
Ky studim, i botuar në revistën Neurology, ofron një vlerë të çmuar shkencore për të kuptuar ndikimin e gjeneve në shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut.
Megjithatë, autorët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të shpjeguar plotësisht mekanizmat që rrisin rrezikun e goditjes në tru tek disa grupe gjaku. /Telegrafi/