Friday, March 6, 2026
spot_img
HomeLajmeGrupet disidente kurde thonë se po përgatiten të bashkohen në luftën kundër...

Grupet disidente kurde thonë se po përgatiten të bashkohen në luftën kundër Iranit me mbështetjen e SHBA-së

Grupet disidente kurde iraniane me bazë në veri të Irakut janë duke u përgatitur për një operacion të mundshëm ushtarak matanë kufirit në Iran dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga kurdët irakianë që t’i mbështesin ato, i thanë agjencisë “Associated Press” disa zyrtarë kurdë.

Grupet kurde shihen gjerësisht si segmenti më i organizuar i opozitës së përçarë iraniane dhe besohet se kanë mijëra luftëtarë të trajnuar. Hyrja e tyre në luftë do të mund të paraqiste sfidë të konsiderueshme ndaj autoriteteve tashmë të sfiduara në Teheran dhe gjithashtu do të mund ta rrezikonin tërheqjen e Irakut më tej në konflikt.

Khalil Nadiri, zyrtar në Partinë për Lirinë e Kurdistanit – PAK, me bazë në rajonin gjysmautonom kurd të Irakut, tha të mërkurën se disa prej forcave të tyre ishin vendosur në zona afër kufirit iranian, në provincën Sulaymaniyah, dhe po qëndronin të gatshme.

Sipas tij, udhëheqësit e grupeve opozitare kurde janë kontaktuar nga zyrtarë amerikanë në lidhje me operacionin e mundshëm, pa dhënë më shumë hollësi.

Kur u pyet për raportimet se administrata e presidentit Donald Trump po e shqyrtonte armatosjen e grupeve kurde iraniane, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, të mërkurën para gazetarëve tha: “Asnjëri nga objektivat tona nuk janë të mbështetura në përkrahjen ose armatosjen e ndonjë force të caktuar. Pra, ajo që entitete të tjera mund të jenë duke bërë, ne jemi të vetëdijshëm për to, por objektivat tona nuk janë të koncentruara mbi këtë.”

Nëse grupet kurde irakiane dhe iraniane bëhen pjesë e luftës, kjo do të ishte hyrja e parë e një force tokësore domethënëse në betejë. Grupet kurde kanë përvojë në beteja nga lufta kundër ISIS-it.

Një zyrtar i një grupi tjetër kurd iranian, Komala, tha të mërkurën se forcat e tyre janë të gatshme ta kalojnë kufirin brenda një jave deri në 10 ditë dhe “po presin që terreni të jetë i përshtatshëm”. Ai foli në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Kurdët në Iran kanë një histori të gjatë të vuajtjeve dhe kryengritjeve kundër Republikës Islamike dhe monarkisë, që ishte para saj. Gjatë pushtetit të shahut Mohammad Reza Pahlavi, kurdët ishin margjinalizuar dhe shtypur dhe nganjëherë ishin rebeluar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT