Gruda thirrje për protestën në Tiranë: Të ngremë zërin për UÇK-në

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në protestën që do të mbahet nesër, më 17 tetor, në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Përmes një postimi në Facebook, Gruda ka theksuar rëndësinë e kësaj proteste, duke e quajtur Tiranën “zërin e të gjithë shqiptarëve”.

“Nesër, në Tiranë, duhet të jemi të gjithë bashkë, nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, diaspora dhe vetë Shqipëria. Le të ngremë zërin bashkë për të vërtetën, për dinjitetin kombëtar dhe për drejtësinë ndaj luftës çlirimtare”, ka shkruar ai.

Gruda ka sqaruar gjithashtu se Gjykata Speciale në Hagë është themeluar mbi bazën e raportit të Dick Martyt, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në të cilin përfshihej edhe territori i Shqipërisë, me pretendime për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së në të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.

“Sot, ndërsa procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë po i afrohet fundit, është bërë plotësisht e qartë se këto pretendime nuk kanë qenë të vërteta. Në aktakuzën zyrtare të Prokurorisë Speciale nuk ekziston asnjë pretendim për ‘Shtëpinë e Verdhë’, as për trafikim organesh, dhe asnjë provë nuk ka vërtetuar ndonjë prej akuzave të ngritura në raportin e Martyt. Kjo do të thotë se vetë themeli mbi të cilin është ndërtuar Gjykata Speciale ka qenë i gabuar dhe i ndërtuar mbi pretendime të rreme. Një raport pa fakte ka shërbyer për të ngritur një gjykatë që për vite me radhë po mban nën akuzë drejtuesit e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, shkroi tutje Gruda.

Ai ka shtuar se Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Evropës, ka një detyrim moral dhe politik për të kërkuar sqarimin e kësaj çështjeje.

“Sot Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Evropës, ka detyrimin moral dhe politik të kërkojë heqjen e kësaj njolle të padrejtë që rëndon mbi emrin e saj dhe mbi luftën e drejtë të UÇK-së”, përfundoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/