Dukate Gjukiq është një tjetër grua shqiptare nga një fshat i Shkodrës, e cila ka rreth 17 vjet që ka ndërtuar jetën e saj në Zubin Potok, pas martesës me një serb nga fshati Gornje Jasenovik. Ashtu si Filja, ajo merret kryesisht me punë shtëpie dhe përpiqet të kujdeset për familjen me ato pak mundësi që ka.
“Kur jam martu skam pas kurrëfarë kushtesh. Një dhomë, shtëpija e vjetër, kurrëfarë kushtesh s’kam pas. 8 vjet kemi jetu në një dhomë, pa ujë mrenda, pa…, si i thonë, kurrëfarë kushtesh s’kemi pas. Për shembull, mu më kanë thënë se ke dy shtëpi, dy vila, një e ka në katund e tjetrën në qytet. Ajo nuk më ka dalë për shembull”.
“Punojmë pak në bashqe, bagëti majmë, çka është e shtirë për ne psh është se nuk kemi makineri, psh na duhet me kosit me dorë, barin për lopë për dimër, fëmijët e vegjël nuk kanë sa me na ndihmu, bagëti majmë, pula majmë, lopë, shesim nganjëherë tamël, sikur në katun”, tregon Dukatja për emisionin MAT në Klan Kosova.
Kur u martua, Dukatja ishte e bindur se nga Shkodra po shkonte nuse në Serbi. Kështu ia kishin paraqitur familja dhe shkuesit, duke i premtuar një jetë më të mirë përtej kufirit.
Gazetarja: Ti e ke ditë që ke me u martu në Kosovë apo në Serbi?
Në Serbi, në Serbi. E kam ditë, e kam ditë se është serb kam ditë që në Serbi jetoj, e kam ditë që është 3-4 orë, një fije ma larg, por nuk është problem.
Gazetarja: Por këtu nuk je në Serbi?
Paj, ktu jena, toka e Kosovës thonë ku ta di unë, nuk merrem me politikë.
Gazetarja: Por, ky është territor i Kosovës.
Po, po, po ne e kemi ditë, kur na kanë lyp anej, se vimë në Serbi.
S’ju kanë thënë që vini në Kosovë?
Jo. Jo, jo vetëm se në Serbi e burrin serb.
Me vetëdëshirë keni pranu?
Po po, nuk na ka detyru kush me zor me ardhë, fati i femrës.
Ajo rrëfen se për të mësuar gjuhën serbe, burri i bleu një libër, prej nga nisi të mësojë fjalët e para. Sot, serbishten e flasin edhe fëmijët e saj.
“Më ka ble ky një libër fill, për 1 muaj kam mësuar boll, kam mësu gjuhën e tyne sa me mujt me u kuptu kur të vi këtu, e në rregull. Fëmijët serbisht flasin, flasin pak shqip por nuk e kanë fort, se po kanë frikë se e ngatërrojnë kur të shkojnë në shkollë. E i kam mirë me mësime e për atë, por kur shkojmë te robët e mi në Shqipëri, te nana, folin, dinë me folë me ta, i kuptojnë çka u thonë, por me folë e kanë një fije me shtirë, nuk e di”, tregon Dukatja.
Ratko Gjukiq, bashkëshorti Dukates, thotë se ishin virtytet e gruas shqiptare e punëtore që e shtynë të martohej me një shqiptare.
“Janë punëtore të vyeshme, janë të dëgjueshme, janë të mira me fëmijët, për të gjitha. Të mira për shtëpinë, janë amvise të mira”, tregon Ratko Gjukiq.
The post Gruaja shqiptare në një fshat serb: Historia e një martese dhe një jete të ndërtuar me sakrificë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.