Gruaja 73-vjeçare u deportua në Indi pasi kaloi 30 vjet në SHBA – rregullisht kishte punuar dhe paguar taksat

Gruaja 73-vjeçare u deportua në Indi pasi kaloi 30 vjet në SHBA - rregullisht kishte punuar dhe paguar taksat

Një gjyshe 73-vjeçare, e cila ka kaluar më shumë se tri dekada duke jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është deportuar në Indi.

Zyrtarët e Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) arrestuan Harjit Kaur, e cila kishte aplikuar pa sukses për azil në SHBA. Kjo ngjarje ka shkaktuar tronditje në komunitetin Sikh, duke qenë se ajo ka jetuar në shtetin amerikan për 30 vjet.


Ajo ishte shpërngulur në Kaliforni në vitin 1991 me dy djemtë e saj të vegjël për t’i shpëtuar trazirave politike në Punjab, ku kishte jetuar dhe punuar më parë. Gjatë viteve, ajo kishte tentuar disa herë të merrte azil në SHBA, por pa sukses.

Avokati i saj, Deepak Ahluwalia, pretendon se zyrtarët e ICE kanë vepruar në mënyrë “të papranueshme” ndaj Kaur gjatë ndalimit të saj, megjithëse ajo nuk kishte asnjë precedent penal, raporton bbc.

“Zonja Kaur u dërgua në një qendër ndalimi në Georgia më 19 shtator dhe u deportua në Indi më 22 shtator, pa pasur mundësi të vizitonte shtëpinë e saj në SHBA apo të përshëndetej siç duhet me familjen dhe miqtë”, tha Ahluwalia.

Ajo kishte qëndruar rreth 70 orë në një qendër ndalimi pa një shtrat, duke qenë e detyruar të flinte në dysheme, edhe pse kishte kryer dy operacione në gjunjë. Avokati thotë se asaj iu mohua ushqimi.

Kaur, e cila jetonte në Hercules, në zonën e Gjirit të San Franciskos, kishte punuar për dy dekada si rrobaqepëse në një dyqan dhe kishte paguar taksa. Aplikantëve për azil u lejohet të jetojnë dhe të punojnë ligjërisht gjatë kohës që shqyrtohen kërkesat e tyre.

Pas refuzimit të kërkesave të saj për azil, Kaur vazhdoi të qëndronte dhe punonte në SHBA pasi nuk kishte dokumentacionin e duhur për t’u kthyer në Indi. Që prej asaj kohe, i ishte kërkuar të paraqitej pranë autoriteteve të imigracionit çdo gjashtë muaj. Ajo u arrestua në San Francisko gjatë një prej këtyre paraqitjeve.

“Është më mirë të vdesësh sesa të përballesh me këtë”, u shpreh ajo për Times of India pas deportimit.

Deportimi i saj vjen si pasojë e ashpërsimit të politikave të imigracionit në SHBA pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. /Telegrafi/