Grenell i reagon Von der Leyen pas vizitës në Kosovë: Gjykata e Hagës mban Thaçin në burg prej 5 vjetësh

Grenell i reagon Von der Leyen pas vizitës në Kosovë: Gjykata e Hagës mban Thaçin në burg prej 5 vjetësh

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për kriza globale, ka kritikuar ashpër shefen e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, pas vizitës së saj në Kosovë.

Përmes një postimi në platformën X, Grenell e akuzon Von der Leyen se ka heshtur ndërsa Gjykata e Hagës ka mbajtur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për pesë vjet në burg.


“Gjykata juaj e Hagës e ka mbajtur Presidentin Thaçi për 5 vjet. Si mund t’i shpërndani këshilla gjyqësore ndonjë vendi? Ju qëndruat të heshtur ndërsa Jack Smith arrestoi një President në detyrë, vetëm sepse ai ishte duke shkuar për të takuar Donald Trump për të krijuar një marrëveshje paqeje që përfshinte shpërbërjen e punës së Jack Smith/gjykatës. Është e turpshme se si media e ka injoruar këtë ndjekje penale politike”, shprehet Grenell.

Reagimi i tij vjen në kohën kur Ursula von der Leyen po zhvillon një tur vizitash në Ballkanin Perëndimor, ku ka riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën dhe integrimin e rajonit në BE.

Grenell, që shërbeu si ndërmjetës gjatë administratës Trump, ka qenë ndër kritikët më të zëshëm të institucioneve evropiane dhe të qasjes aktuale të BE-së ndaj Kosovës dhe dialogut me Serbinë.