Graçanica drejt ndryshimit, Leutrim Ajeti synon fitoren me “Aleancën Shqiptare”

news image

Partitë shqiptare në Graçanicë janë bashkuar për garën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar për të garuar me një kandidat të përbashkët për kryetar të komunës dhe me një listë të vetme për kuvend komunal, nën emrin “Aleanca Shqiptare”.

Kandidati i kësaj liste është Leutrim Ajeti, i cili përfaqëson një front të bashkuar politik që synon përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës në këtë komunë me shumicë serbe.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, Graçanica – komunë që ndodhet rreth 9 kilometra larg Prishtinës – ka gjithsej 18 mijë e 500 banorë, prej të cilëve 8.623 janë shqiptarë dhe 8.560 serbë.

Ajeti ka bërë të ditur se nëse merr besimin e qytetarëve, do të jetë kryetar i të gjithëve pa dallim etnie dhe do të punojë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Graçanicë.

Ai premton gjithashtu formimin e një kabineti multietnik, ku të gjitha komunitetet do të kenë përfaqësim të barabartë.

“Ashtu siç është shumë etnike komuna, do të jetë edhe kabineti im shumë etnik. Do të ketë përfaqësim nga të gjitha komunitetet, nuk do të bëj dallime as në ekzekutiv dhe as në kabinet”, ka thënë Ajeti.

Ndër prioritetet kryesore të tij, Ajeti renditë përmirësimin e mjedisit, zhvillimin e transportit publik dhe investimet në infrastrukturë, duke theksuar se këto janë fusha që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe kërkojnë veprim të menjëhershëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/