Alejandro Dario Gomez Villaverde, i njohur si Papu Gomez, do të rikthehet në futboll pasi pezullimi i tij dyvjeçar skadon muajin e ardhshëm.
Gomez ka shprehur publikisht pakënaqësinë e tij me gjithçka që i ka ndodhur, duke protestuar kundër standardeve të dyfishta.
“Pata një natë të keqe dhe mora shurupin për kollë që marrin zakonisht fëmijët e mi. Nuk u konsultova me mjekët në Sevilla më parë, dhe më vonë doli që shurupi ishte në fakt një ilaç B2-adrenergjik, i ngjashëm me salbutamolin”, ka thënë fillimisht Gomez.
Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën tha se e kishte të vështirë të shikonte futboll dhe në një intervistë me kanalin De Visitante, ai tha se ishte i shokuar.
“Muajt e parë ishin të vështirë për mua, nuk e kuptoja pse po më ndodhte kjo. Kulmi i karrierës sime, fitimi i Kupës së Botës, por ndonjëherë jeta të sjell këto situata dhe surpriza të papritura”.
“Nuk doja të tërhiqesha, nuk doja të lija dy ose tre persona me kostume dhe kravata që nuk kishin luajtur kurrë sport të vendosnin se kur do të mbaronte karriera ime”, shtoi 37-vjeçari argjentinas.
Ndërkohë, Gomez ka nënshkruar një kontratë me Padovën, e cila luan në Serie B, dhe të cilën ai duhet ta ndihmojë në luftën për të qëndruar në atë nivel, dhe ndërsa pret të luajë përsëri, ai drejton gishtin nga njerëzit që vendosën fatin e tij.
“Ti merr kokainë ose pi një cigare marihuanë dhe dënohesh me gjashtë muaj dënim. Unë mora dy vjet sepse mora shurupin e kollës së djalit tim. Kush mund ta kuptojë këtë? Sidoqoftë, ja ku jam, e gëlltita, vuajta dhe fillova të punoja me një psikolog”, përfundoi Gomez. /Telegrafi/