Në muajin e pestë të 2025-ës, një punësim në Qendrën e Studentëve në Prishtinë kaloi pa vëmendje publike.
Bëhet fjalë për Leonora Mijalica-Golën, e cila u emërua në pozitën e Zyrtares për Shërbime Studentore.
Mijalica-Gola është bashkëshortja e Ardian Golës, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kandidat për kryetar të Komunës së Gjakovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, a ndikoi Gola në punësimin e bashkëshortes?
Ekskluzivisht për Kiks Kosovën, Gola mohoi të ketë pasur lidhje me këtë çështje.
Ai ka shpjeguar për emisionin se vendimi për t’u futur në garën për të parin e Gjakovës ka ardhur nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj qytetit.
Në pyetjet e Kiksit për lidhje të mundshme ndërmjet pozitës së bashkëshortes dhe statusit të tij politik, Gola theksoi se për një periudhë ka qenë pasiv në skenën politike dhe kësisoj nuk ka ruajtur asnjë lloj kontakti të natyrës së tillë.
E në lidhje me pozitën Zyrtare për Shërbime Studentore që mban bashkëshortja e tij, Gola shton se bëhet fjalë për një vend pune të zakonshëm dhe pa asnjë peshë politike apo super kualifikim.
Për Kiksin, ai tha se ka bashkëshortja e tij ka qenë gjatë tërë këtyre viteve e rezervuar ndaj punësimit në institucione publike krejt kjo për t’i ikur dyshimeve të mundshme për ndonjë lloj ndikimi.
Sipas një dokumenti që ka siguruar Kiks Kosova, në njoftimin për rezultatin përfundimtar për pozitën Zyrtar për Shërbime Studentore në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, rezulton se Leonora Mijalica-Gola është kandidatja e vetme në listë me 70.4 pikë të grumbulluara. /Klankosova.tv
The post Gola: Për pozitën e punës së gruas time nuk duhej as fakultet (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.