E diel, 20 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajme​Goditja nga i nxehti: Kërkohet vigjilencë sepse pasojat mund të jenë fatale...

​Goditja nga i nxehti: Kërkohet vigjilencë sepse pasojat mund të jenë fatale për sportistët

Rritja e temperaturave gjatë verës po sjell shqetësime serioze për sigurinë e sportistëve, veçanërisht të rinjve, gjatë aktiviteteve të tyre sportive dhe fizike. Ekspertë të fushës dhe trajnerë profesionistë paralajmërojnë për rreziqet që sjell stërvitja në kulmin e vapës, duke kërkuar ndryshimin e orareve dhe masa shtesë për mbrojtjen e shëndetit.

Sipas tyre, goditja nga i nxehti mund të jetë fatale, ndërsa mungesa e hidratimit dhe aktiviteti fizik në kushte të papërshtatshme ndikojnë drejtpërdrejt në funksionin e zemrës dhe performancën fizike.

Dekani i Fakulteti të Edukimit Fizik dhe të Sporteve, Florian Miftari, thotë për KosovaPress se aktiviteti fizik duhet patjetër të shmanget në pikun e temperaturave, ose ai të zhvillohet vetëm në ambiente të klimatizuara.

“Duhet të kemi shumë kujdes, t’i ikim termineve të cilat janë në pikun e nxehtësisë, mund të zgjohemi më herët dhe të mbajmë stërvitje, pra kur është koha më adekuate, gjithashtu edhe pasdite mund të ushtrojmë në termine më të vonshme kur fillon nxehtësia të bie. Gjithashtu për t’i ikur lagështisë ne mund të futemi edhe brenda në ambiente ku janë të klimatizuara dhe te ventiluara më mirë për të shmangur lagështinë sepse shkenca e thotë që nëse 35 gradë është jashtë, është temperatura dhe lagështia e ajrit është 70 për qind, atëherë i bie që nxehtësia është 45 gradë celsius, e që i bie se trupi në ato kushte nuk mund të ftohet si duhet”, thekson Miftari.

Sipas Miftarit, sportistët që zhvillojnë aktivitet fizik në temperatura të larta mund të pësojnë edhe të ashtuquajturën “goditje nga i nxehti”, proces ky që mund të sjellë edhe vdekje fatale.

“Është më se e rrezikshme nëse ata nuk janë të klimatizuar, nëse nuk janë të hidratuar mirë, nëse nuk janë të ftohur siç duhet, pra të jetë pjesa e ‘cool down’ [freskimi] ku mund të pimë ujë siç duhet e pastaj ta vazhdojmë stërvitjen deri në 20 minuta, të ndalemi, të pimë prapë dhe të monitorojmë e të shohim se a kemi ndonjë simptomë që vjen nga sportistët që mund të kenë marramendje, të rrahura të zemrës më të shpejta ose frymëmarrje më të shkurtër, do të thotë të gjitha këto janë simptoma që mund të shtyjnë deri te heat strock [goditje nga i nxehti]. Heat Strock është fatale dhe është një vdekje totalisht nga pakujdesia e njerëzve që punojnë me të rinjtë”, shton tutje Miftari.

Kurse, trajneri i atletikës, Adrian Mazreku, bën thirrje që të ndryshohet orari i stërvitjeve, duke rekomanduar që ato të zhvillohen në mbrëmje, por thekson faktin se kjo paraqet problem për shkak se në Kosovë nuk janë kushtet adekuate infrastrukturore që e mundësojnë një gjë të tillë.

“Mundësia e vetme mbetet që sportistët ta ndryshojnë orarin e stërvitjeve, duhet ta shmangim mesditën, të mos jemi në proces stërvitor por edhe federatat e caktuara të mos organizojnë aktivitete sportive gjatë kulmit të temperaturave por ato t’i mbajnë mundësisht në mbrëmje, kuptohet duhet të kenë ndriçim, e kuptoj këtë problemin teknik. Për të gjitha këto që po flasim është sfidë për shtetin sepse ne si klube e si trajner e kemi problem t’i plotësojmë ato kritere. Çfarë po duam të bëjmë ne është që të zgjohemi më herët dhe stërvitjen që e kemi me intensitet më të lartë, të cilën e kemi bërë pasdite më herët, mund të zhvendosim paradite… Organizmi e dimë që është 65-70 për qind i përbërë nga lëngjet dhe duhet të konsumojmë ujë sa më tepër, nuk guxon një sportist të mbetet pa ujë në proces stërvitor para stërvitjeve por edhe pas stërvitjeve duhet të konsumojë shumë më tepër ujë se sa në kohën e dimrit apo kur nuk është shumë nxehtë”, deklaron Mazreku.

Ndërkaq, përzgjedhësi i Kosovës për Senior në atletikë, Bajram Duja, tregon çrregullimet që pëson trupi i sportistit në rast se stërvitet në temperatura të larta.

“Trupi e rregullon temperaturën përmes djersitjes, por në kushte të nxehta dhe lagështi të ajrit mekanizmat e ftohjes bëhen më pak efektiv. Rritja e temperaturës mund të çojë edhe në lodhje më të shpejtë, ulje të performancës dhe rrezik për goditje nga të nxehtit pastaj vie deri te humbja e lëngjeve apo elektroliteve. Djersitja e tepërt çon në humbje të ujit dhe të kripërave si natriumi e kaliumi që mund të shkaktojë dehidrim, humbje të lëngjeve dhe ulje të presionit të gjakut, do të thotë tensioni i gjakut bie poshtë që është i dëmshëm për zemrën dhe vjen deri tek rritja e frekuencës kardiake apo pulsit”, thekson Duja.

The post ​Goditja nga i nxehti: Kërkohet vigjilencë sepse pasojat mund të jenë fatale për sportistët appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT