Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në zonën bregdetare të Gjipesë. Një turist gjerman është goditur nga helika e një skafi, sipas njoftimit të policisë ai po notonte jashtë zonës së sigurisë.
Menjëherë pas incidentit në vendngjarje është thirrur me urgjencë një helikopter për transportin e të plagosurit drejt spitalit.
“Sot, rreth orës 13:40, në plazhin e Gjipesë, dyshohet se shtetasi K. V., 27 vjeç, banues në Orikum, duke drejtuar një mjet lundrues gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, ka dëmtuar, gjatë kohës që ishte duke bërë zhytje në afërsi të mjetit lundrues, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani.
Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Dhërmi, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë ndërhyrë duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas kanë organizuar transportimin e tij të menjëhershëm drejt spitalit, për ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit K. V., në Stacionin e Policisë Dhërmi, si dhe të personave të tjerë që kanë qenë dëshmitarë në këtë ngjarje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!