Goditet grupi kriminal për shpërthimin e veturës së drejtorit të QKUK – kapen 11 persona, drogë e armë

Goditet grupi kriminal për shpërthimin e veturës së drejtorit të QKUK – kapen 11 persona, drogë e armë

Drejtoria kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda e Policisë së Kosovës ka ndaluar 11 persona të dyshuar për shpërthimin e ndodhur më datë 30.04.2025 në parkingun e QKUK-së në Prishtinë.

Në atë rast kishte ndodhur një shpërthim në një veturë të tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së.

Për pasojë, Policia ka ndërmarrë veprime të mëtejme operative dhe hetimore në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Sipas njoftimit të PK-së, të martën (09.09.2025), në zbatim të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë realizuar bastisje në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë, raporton Klankosova.tv.

“Gjatë kontrollit janë ndaluar njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale”, ka thënë Policia.

Në njoftim thuhet se në rrugën “Fan Noli” në Prishtinë, është sekuestruar një telefon mobil i llojit iPhone 12, një laptop “Lenovo” dhe dokumente të ndryshme.

Në rrugën “Pavarësia” në Prishtinë, janë sekuestruar katër telefona celularë Samsung, një telefon celular iPhone 14 Pro Max, një palë pranga metalike, një radio lidhje Baofeng dhe gjashtë fishekë të armës së shkurtër të kalibrit 9×19 mm.

Ndërkaq, në fshatin Rimanishtë të Prishtinës, Policia ka sekuestruar një pistoletë e llojit “Sig Sauer” me një karikator dhe 12 fishekë, një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një thikë (bajonetë), tre telefona (iPhone dhe Samsung) dhe sasi të konsiderueshme të substancës narkotike (dyshohet për marihuanë), mjete për kultivim dhe përpunim të saj.

“Gjatë bastisjes në këtë lokacion, është ndërhyrë edhe nga njësia e Antidrogës – DHTN Prishtinë, e cila ka marrë në kompetencë trajtimin e mëtejshëm të rastit për narkotikë. Në vazhdim të veprimeve janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: Janë konfiskuar 142 kg e 172 gr substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit; Një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë; Një armë AK-47, 5 karikatorë, 99 fishekë dhe 1 bajonetë; dhe, Dhjetë (10) telefona dhe pajisje të tjera relevante për rastin”, u tha në njoftim.

Gjatë verifikimit të të dyshuarit F.D., Policia ka konstatuar se ndaj tij ekziston një urdhër arrest aktiv për çështje të narkotikëve, dhe me vendim të prokurorit, ai është dërguar për vuajtje të dënimit.

“Ndërkaq, pas intervistimit të personave të ndaluar dhe në konsultim me prokurorin kompetent, nëntë (9) persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë ndarë në raste të veçanta dhe janë njoftuar njësitë përkatëse për trajtimin e mëtejshëm të tyre”, theksoi Policia.

Policia e Kosovës tha se do të vazhdojë me veprime të koordinuara me organet e drejtësisë për ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien e personave përgjegjës para drejtësisë. /Klankosova.tv

The post Goditet grupi kriminal për shpërthimin e veturës së drejtorit të QKUK – kapen 11 persona, drogë e armë appeared first on Klan Kosova.