Policia e Shtetit ka bërë të ditur se një tjetër Call Center që mashtronte qytetarë evropianë është goditur nga Policia e Shtetit në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “SCAMS.
Në njoftim thuhet se në kuadër të operacionit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DPPSH, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në ambientet e një subjekti me administrator shtetasin K. P., 28 vjeç, banues në Tiranë.
“Gjatë kontrollit u konstatuan 38 operatorë, të cilët dyshohen se mashtronin qytetarë në vende të ndryshme të Evropës për të investuar në bursa fiktive”, thuhet në njoftim.
Në ambientet e subjektit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
65210 euro pa dokumentacion për vërtetimin e burimit; lista e emrave që i ishte vendosur çdo operatori në momentin e prezantimit me viktimën; lista e shumave që secili operator kishte përvetësuar me anë të mashtrimit; lista e objektivave të vendosura nga menaxherët dhe bonuset që merrnin operatorët në bazë të objektivave, ku për muajin tetor ishte 1.5 milionë euro; 51 njësi kompjuterike dhe 14 aparate celular.
Në vijim të operacionit, janë ushtruar kontrolle në banesat e bashkëpunëtorëve të afërt të shtetasit K. P., dhe nga kontrollet u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 41500 euro dhe 700.000 lekë të rinj në banesën e shtetasit M. H., 38 vjeç, pa dokumentacion të burimit të të ardhurave.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. P. dhe M. H.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda”; “Punësim i paligjshëm”; “Fshehje të ardhurash”; “Mospagim i taksave dhe tatimeve”; dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.