Gjyqtari Mervan Bejtullahu i ka kërkuar falje Gjilanit për penaltitë që nuk i akordoi për ta në përballjen ndaj Dukagjinit.
“Përshëndetje të gjithë dashamirëve të futbollit. Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar, mbi 17 vjet në Kosovë dhe vitet e fundit edhe në arenën evropiane, ku kam pasur privilegjin të gjykoj ndeshje të rëndësishme, sot ndjej nevojën të bëj diçka që nuk e kam bërë kurrë më parë: të kërkoj falje publike”, ka shkruar Bejtullahu.
“Analiza e thellë e videos nga ndeshja KF Dukagjini – SC Gjilani, e zhvilluar më 23 shkurt, ku unë isha referi kryesor, kam zbuluar dy gabime të rënda. Në minutën e 15-të dhe në minutat shtesë, kam neglizhuar dy penallti të qarta dhe të padiskutueshme në favor të Gjilanit”.
“Pavarësisht pamjeve të qarta dhe teknologjisë VAR, nuk jam thirrur për rishikim në asnjë prej këtyre rasteve. Jam plotësisht i bindur se, nëse do të më ishte dhënë mundësia të rishikoja pamjet, do të kisha akorduar të dyja penalltitë. Në rastin e pare nuk isha i bindur, ndërsa në të dytin pozicionimi im i largët për shkak të një kundërsulmi ndikoi në gjykimin tim. Megjithatë, kjo nuk e justifikon gabimin tim”.
“Kërkoj ndjesë të sinqertë ndaj klubit të SC Gjilanit, tifozëve-SKIFTERAVE dhe gjithë qytetit për këto gabime të paqëllimshme”.
Bejtullahu ka thënë po ashtu se nuk e di pse nuk u ftua nga VAR-i në të dyja rastet kur kishte vendosur në të mirë të Dukagjinit.
“Dhe në fund unë ende nuk e di arsyen se pse VAR-i nuk më ftoi dhe në të dyja rastet vendosi në favor të ekipit të KF Dukagjinit”.
“Me sinqeritet të plotë, shpresoj që kjo ndjesë të shërbejë si një shenjë e pendesës sime të thellë. Unë i marr këto gabime shumë seriozisht dhe do të punoj vazhdimisht për të përmirësuar gjykimin tim dhe për të siguruar që standardet e arbitrimit të jenë sa më të larta në të ardhmen”.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>