UEFA ka njoftuar zyrtarisht emrin e gjyqtarit që do të ndajë drejtësinë në sfidën Serbi-Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 dhe që do të zhvillohet në Lsekovc.
Bëhet fjalë për Istvan Kovacs, një gjyqtar rumun me shumë përvojë në futbollin evropian.
Emërimi i Kovacs nga Komiteti i Gjyqtarëve të UEFA-s shihet si një sinjal i qartë i seriozitetit me të cilin po trajtohet kjo ndeshje, e cila mbart një barrë të madhe sportive, emocionale dhe politike.
Ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë rikthehet në qendër të vëmendjes 11 vjet pas ngjarjeve të Beogradit në vitin 2014, duke i dhënë çdo detaj, përfshirë edhe gjyqtarin, një rëndësie të veçantë.
Istvan Kovacs, është gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s që nga viti 2010 dhe pjesë e grupit “Elite” të UEFA-s. Ai është një nga emrat më të shquar të gjyqtarëve të futbollit, me një karrierë të pasur në garat më prestigjioze të kontinentit.
Istvan Kovacs
Në vitin 2022, Kovacs ndau drejtësinë në finalen historike të parë të Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoord në “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Dy vjet më vonë, ai u zgjodh për finalen e Ligës së Evropës mes Atalantas dhe Bayer Leverkusen, ndërsa në maj 2025 ai ndau drejtësinë në finalen e Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Interit.
Stili i tij njihet për disiplinën e fortë dhe kontrollin e lartë të lojës. Kovacs ka reputacionin e një gjyqtari që nuk lejon devijime nga rregullat, por në të njëjtën kohë arrin të ruajë autoritetin dhe qetësinë edhe në ndeshje me tension maksimal.
Në Euro 2024, ai tërhoqi vëmendjen për mënyrën se si e menaxhoi ndeshjen midis Republikës Çeke dhe Turqisë, ku dhuroi një numër rekord kartonësh./Telegrafi/