Një pozitë, katër kandidatë, një fituese dhe një fletore që zbuloi gjthçka.
Në fillimvitin e 2011-ës u hap një konkurs i brendshëm për kryeinfermier në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri.
Asokohe, katër infermierë të kësaj qendre: Adlije Shaqiri – Kurti, Qefsere Hoti, Kadri Maxhuni dhe Ismajl Sadiku, ia mësyn kësaj pozite.
Kriteret për këtë konkurs ishin dy: 3 vjet përvojë pune në pozitën e infermierit dhe diploma e shkollës së mesme të Mjekësisë.
Testi u mbajt e në intervistë u ftua vetëm njëra nga kandidatët, Adlije Shaqiri – Kurti, e cila triumfoi në këtë konkurs.
Kundër këtij vendimi u ankua kundërkandidati i saj, Kadri Maxhuni, në atë kohë i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, por ankesa e tij u hodh poshtë nga komisioni.
Tre muaj pasi Adlije Shaqiri mori kontratën për pozitë të përhershme si kryeinfermiere, në duart e Kadri Maxhunit, ra një dëshmi që vërtetonte se konkursi kishte qenë i kurdisur.
Në fletoren e saj gjendeshin pyetjet me përgjigje të testit me shkrim, të cilat më vonë prokuroria e provoi se i ishin dërguar para testit nga drejtori i atëhershëm i QKMF-së në Vushtrri, Shefki Zhushi, i cili ishte edhe kryetar i komisionit për intervistimin e kandidatëve për këtë konkurs.
Kësisoj, pas aktakuzës së Prokurorisë, më 25 shkurt të 2016-ës, Gjykata Themelore në Mitrovicë e shpalli Zhushin fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe e dënoi atë me 6 muaj burgim me kusht.
Ky dënim nuk do të ekzekutohej në qoftë se Zhushi nuk do kryente vepra penale në një afat prej një viti.
Mirëpo, me këtë aktvendim nuk u pajtua drejtori i atëhershëm i QKMF-së.
Avokatja e tij, Fatmire Braha, u ankua në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se në këtë rast ka shkelje esenciale të dispozitave të proceduraës penale, shkelje të Ligjit Penal, vëretim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktive dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që aktgjykimi që e shpallit fajtor Zhushin të ndryshohet dhe ai të lirohet nga akuza.
Asokohe, edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë edhe Prokuroria e Apelit propozuan që ankesa e saj të refuzohet si e pabazuar.
Megjithatë, 5 muaj më vonë, Gjykata e Apelit mori aktvendim në favor të Zhushit.
Të enjten e 28 korrikut të 2016-ës, kolegji i përbërë nga Fillim Skoro, Vahid Halili dhe Mejreme Mamaj, e ndryshoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke e refuzuar akuzën ndaj ish-drejtorit të QKMF-së në Vushtrri, Shefki Zhushi.
Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhej se Gjykata e Apelit gjeti se është shkelur Ligji Penal në dëm të Shefki Zhushit, pasi që sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovë, ishte bërë parashkrimi relativ i ndekjes penale.
Pra, sipas gjykatës së shkallës së dytë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ishte vonuar dhe kishte nisur ndekjen penale ndaj Shefki Zhushit për këtë rast më 11 dhjetor 2014, mbi 3 vjet, saktësisht 3 vjet e 11 muaj e 1 ditë, pasi ai e kishte kryer këtë vepër.
Aktgjykimin e saj, Gjykata e Apelit e mbështeti në nenin 106 të Kodit Penal të Kosovës, i cili ishte në fuqi asokohe, sipas të cilit, ndekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar 3 vjet nga kryerja e veprës penale e cila dënohet me më shumë se 1 vit burgim.
Gjykata e Apelit konstatoi se gjykata e shkallës së parë, e ka shkelur Ligjin Penal në dëm të Shefki Zhushit, duke e shpallur atë fajtor edhe pse ishte bërë parashkrimi relativ i ndjekjes penale, për ç’arsye edhe aktgjykimi, sipas Apelit është dashur të ndryshohet dhe të refuzohet akuza ndaj Shefki Zhushit.
Gjykata e shkallës së dytë, asnjëherë nuk e shqyrtoi çështjen se Zhushi e kishte keqpërdorur detyrën e tij në rastin e konkursit për kryeinfermier, kjo pasi që vonesa e Prokurorisë e shpëtoi atë nga ky gjykim.
Megjithatë,QKMF-ja e Drejtoria e Shëndetësisë në Vushtrri nuk ndërmorrën asnjë veprim dhe konkursi nuk u anulua që të rihapet një i ri.
Rrjedhimisht, Adlije Shaqiri – Kurti vazhdoi të mbajë pozitën e kryeinfermieres tash e 14 vjet, pasi që kontrata të cilën ajo e ka nënshkruar përcakton që pozita e saj në këtë institucion është e përhershme.
The post Gjykata vërtetoi kurdisjen e konkursit që 14 vjet, kryeinfermierja ende vazhdon punën në QKMF (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.