Me flamuj të UÇK-së, Shqipërisë dhe Kosovës në duar, qindra protestues janë nisur drejt Hagës, aty ku sot do të mbahet një protestë e madhe kundër Gjykatës Speciale, me fillim nga ora 14:00, para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Protestuesit, përfshirë bashkëluftëtarë të UÇK-së, mërgimtarë nga diaspora dhe qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, janë mbledhur fillimisht afër një pompe derivatesh, nga ku kanë filluar marshimin për në Hagë.
Protesta është organizuar për të kundërshtuar proceset që po zhvillohen ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.
Redaksia e Sinjalit ka pranuar tashmë foto nga vendi i ngjarjes, ku duken qartë dhjetëra shqiptarë të mbledhur me pankarta, flamuj dhe slogane përkrahëse për UÇK-në, të cilët kanë nisur të grumbullohen në Hagë.
Prania e shqiptarëve në numër të madh tregon mobilizimin e fortë në mbështetje të çlirimtarëve dhe kundër asaj që shumë protestues e quajnë padrejtësi historike ndaj luftës së UÇK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!