Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka rrëzuar padinë e kryeministrit Edi Rama ndaj ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e cilësuar të pabazuar në ligj dhe në prova, shkruan Gazeta Sinjali.
Rama kërkonte dëmshpërblim prej 1 milion lekësh për deklaratat e Bashës të bëra më 22 tetor 2018 nga selia e PD-së, të cilat i konsideronte të pavërteta dhe shpifëse. Ai kishte kërkuar gjithashtu edhe shpenzimet gjyqësore dhe një përgënjeshtrim publik në mediat që i publikuan ato deklarata.
Por, sipas vendimit të gjykatës, pas shqyrtimit të rrethanave dhe provave të paraqitura, nuk u gjetën elementë të mjaftueshëm për të pranuar padinë. Për rrjedhojë, shpenzimet gjyqësore i kalojnë Ramës si palë paditëse.
“Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, më datë 11.06.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore, në praninë e përfaqësuesit të palës paditësë, kërkesën me paditës: Edi Rama, të paditur Lulzim Basha, me objekt: “1. Detyrimi i të paditurit të shpërblejë dëmin jo pasuror, shkaktuar paditesit, si rezultat i thënieve të pavërteta të deklaruara prej tij, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcim për mediat me datë 22.10.2018, në shumën 1.000.000 (një milion) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore. 2. Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të, sipas listës së përcaktuar në pikën D.2 të kërkesë padisë”.
Kundër këtij vendimi, Rama ka të drejtë ankimi në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. Vendimi u shpall më 11 qershor 2025 në Tiranë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!