Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar përkohësisht vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit që e diskualifikonte kompaninë MedPlus SH.P.K. nga tenderët publikë.
Ky sukses i kompanisë vjen pas kërkesës për masën e sigurisë dhe pas raportimit të Kiks Kosovës, ku prezantoi provat, të cilat i kishte manipuluar OShP-ja.
Në këtë rast, kompanisë Medplus i jepet mundësia që të vazhdojë pjesëmarrjen në procedurat e prokurimit publik derisa të merret vendimi përfundimtar gjyqësor.
Sipas gjykatës, zbatimi i menjëhershëm i vendimit të OShP-së do t’i shkaktonte dëme të mëdha dhe të pakthyeshme MedPlus, duke e pamundësuar të merrte pjesë në procedurat ku tashmë ishte ofertues.
Vendimi sqaron se pezullimi i përkohshëm nuk cenon interesin publik, por mbron të drejtat e kompanisë për të konkurruar në mënyrë të drejtë.
Vendimi fillestar i OShP-së më 18 gusht 2025 dhe konkluzioni i datës 27 gusht 2025 kishte përjashtuar MedPlus nga pjesëmarrja në tenderin për “Furnizimin me barna dhe materiale shpenzuese mjekësore për barnatoren pranë QKMF-së”, duke e diskualifikuar kompaninë fillimisht për një vit.
Më pas, ky dënim u zbut në shtatë muaj, duke përfunduar më 17 mars 2026.
Me vendimin e gjykatës, MedPlus tani mund të ofertojë për tenderët e hapur dhe nuk duhet të eliminohet automatikisht, duke mbajtur hapur mundësinë për të fituar kontrata publike derisa të merret vendimi përfundimtar. /Klankosova.tv
The post Gjykata pezullon diskualifikimin e MedPlus, sukses i Kiks Kosovës (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.