Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka ritheksuar në mënyrë të qartë rolin e saj si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, në pikën 171 të Aktgjykimit të sotëm për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.
Në këtë pjesë të aktgjykimit, Gjykata thekson se Kushtetuta është burimi kryesor i autoritetit për çdo pushtet qeverisës në vend dhe përcakton kufijtë e ushtrimit të këtij autoriteti.
Sipas aktgjykimit, të gjitha institucionet kushtetuese kanë të drejtë dhe obligim që gjatë ushtrimit të detyrave të tyre të interpretojnë dhe zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Megjithatë, Gjykata nënvizon se kompetenca për interpretimin përfundimtar të normave kushtetuese i takon asaj, sidomos në rastet kur një çështje bëhet objekt shqyrtimi para saj. Në këto raste, aktgjykimi thekson se është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që jep vlerësimin dhe interpretimin përfundimtar.
“Gjykata rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është burimi i autoritetit të çdo pushteti qeverisës dhe ajo përcakton kufijtë e ushtrimit të këtij autoriteti dhe si rrjedhojë të gjitha institucionet kushtetuese gjatë përmbushjes së detyrimeve të tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj, mund të interpretojnë dhe zbatojnë Kushtetutën porse është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës që, kur një çështje bëhet objekt i shqyrtimit dhe gjykimit kushtetues para saj, që të bëjë vlerësimin dhe interpretimin përfundimtar të normës kushtetuese (shih, rastin KO207/19, parashtrues NISMA Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, Aktgjykim, i 10 dhjetorit 2020, paragrafi 127)”, thuhet në këtë pjesë të vendimit.
Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të sotëm ka dhënë edhe 34 ditë afat shtesë për zgjedhjen e Presidentit, duke konstatuar se dekreti i Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon asnjë efekt juridik. /Klankosova.tv
Ky është vendimi i plotë i Kushtetueses për dekretin e Presidentes


