Presidentja Vjosa Osmani, të martën doli në një konferencë për media, ku njoftoi se ka tërhequr lëndën e dërguar në Gjykatën Kushtetuese më 22 korrik lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.
E para e shteti shprehu shqetësimet e saj në lidhje me caktimin e gjyqtarit të Kushtetueses, Radomir Llaban, si gjyqtar raportues për çështjen e ngritur pranë këtij institucioni nga vetë Presidentja.
Osmani tha se kjo ka të bëjë me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Ajo theksoi se gjyqtari nuk është emëruar nga ana e saj, njofton Klankosova.tv.
E ndaj kësaj çështjeje ka reaguar Gjykata Kushtetuese. Në sqarimin publik, ky institucion tha se gjyqtari Llaban ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, “pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës”.
“Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Llaban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë”, tha Gjykata në sqarimin publik.
Ky institucion tha se si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, Gjykata Kushtetuese “i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Për më tepër, Kushtetuesja tha se bazuar në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara.
Po ashtu, tha se “ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri”.
“Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”, u tha në sqarimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq Presidentja tha se tërheqjen e kërkesës së saj drejtuar Kushtetueses e ka tërhequr me të marrë vesh se është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për të cilin tha se njohët për “veprimtari të rrezikshme”.
“Ju njoftoj se sot në përputhje me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, dhe rregulloren e kësaj Gjykatë kam tërhequr kërkesën numër KO215/25, e paraqitur në 22 korrik, këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm pas informatës se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Laban për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitin 2018, 2021 dhe 2024, Institucionet tona kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare. Sipas këtyre informatave, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare për Kosovën dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit”, tha dje Osmani. /Klankosova.tv
The post Gjykata Kushtetuese del me sqarim pasi Presidentja “ngriti alarmin” për gjyqtarin Llaban appeared first on Klan Kosova.