Pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për ta përjashtuar kompaninë MedPlus nga pjesëmarrja në tenderët publikë për një vit, janë ngritur pikëpyetje nëse ky vendim është në përputhje me ligjin.
Sipas Diana Metushi-Krasniqit, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, procedurat e përjashtimit nga tenderët duhet të jenë shumë të kujdesshme dhe të bazuara në prova konkrete, jo vetëm në dyshime apo interpretime administrative.
Hulumtuesja e IKD-së thotë se suspendimi për një muaj apo deri në një vit nuk është në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurim Publik.
Në rastin e MedPlus, përjashtimi u bë pas dyshimeve të ngritura nga Komuna e Pejës, sipas të cilave kompania kishte dorëzuar një katalog të ndryshuar të produkteve gjatë një tenderi për barna dhe material mjekësor.
Këto dyshime u morën si bazë nga OShP për ta futur kompaninë në të ashtuquajturën “listë të zezë” për një periudhë 1-vjeçare.
Ekspertja e prokurimit ka bërë të ditur se ligji parashikon që kur një autoritet kontraktues, siç është Komuna e Pejës, dyshon për shkelje të ligjit nga një kompani pjesëmarrëse në tender, ai duhet të mbledhë prova dhe ta referojë rastin te prokuroria.
Pastaj, gjykata është ajo që duhet të vendosë nëse ka ndodhur ndonjë vepër penale.
Por çfarë ndodh në praktikë?
Sipas vëzhgimeve të KDI-së, OShP shpesh ndërmerr vendime të tilla administrative pa e çuar çështjen në gjykatë, duke përjashtuar kompani për 1 muaj, 3 muaj ose 1 vit, por pa i dorëzuar rastet te organet e drejtësisë.
Ajo shton gjithashtu se OShP nuk ka konsistencë në vendimet që merr, për raste të ngjashme, ka dhënë vendime të ndryshme në periudha të ndryshme.
The post ”Gjykata fle e OShP-ja ta luan prokurorin e gjykatësin” (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.