Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka reaguar pas mos-certifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Gjuriqi tha se mos-certifikimi i Listës Serbe është shembull i inxhinierisë politike që sipas tij, synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike.
“Duke refuzuar kandidaturat e dorëzuara siç duhet, të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore, autoritetet në Prishtinë edhe një herë kanë shkelur sundimin e ligjit dhe kanë zbuluar synimin e tyre të vërtetë – të heshtin zërin legjitim të serbëve në Kosovë”.
“Masa të tilla diskriminuese jo vetëm që shkelin parimet themelore demokratike, por gjithashtu bien ndesh drejtpërdrejt me zotimet e ndërmarra në dialog, ku e drejta e serbëve për përfaqësim politik autentik ishte garantuar në mënyrë eksplicite. Në vend që të nxisin bashkëjetesë dhe besim, autoritetet në Prishtinë sistematikisht po thellojnë ndarjet dhe po minojnë stabilitetin”, shkroi Gjuriqi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se Serbia e dënon fuqishëm këtë vendim dhe u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojnë me vendosmëri.
“Heshtja përballë një shtypjeje të tillë do të përbënte bashkëpërgjegjësi. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë, me të gjitha mjetet diplomatike dhe ligjore, të drejtat dhe dinjitetin e popullit tonë në Kosovë”, tha ai.
The post Gjuriqi kërkon reagim ndërkombëtar pas mos-certifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja appeared first on Klan Kosova.