Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shkaktuar vonesa në procesin e korrjes së misrit në zonat bujqësore të Gjirokastrës. Fermerët e zonës po përballen me vështirësi të mëdha për të hyrë në arat e lagështa.
Stavro Kondi, një nga fermerët e zonës, tregon se prej dy ditësh është angazhuar në korrje, por kushtet atmosferike e kanë bërë procesin të vështirë.
“Nuk po arrijmë dot përmasat, që të ecim shumë nga lagështira. Sot kemi filluar më mirë pasi fryu erë. Lagështia sjell problematika sepse edhe pesë kokrra në 100 kokrra të jenë të buta prish dhe tjetrin. Je i detyruar që të jetë i pastër misri dhe i thatë”, tha Kondi.
Ndërkohë, agronomët e bujqësisë paralajmërojnë për rrezikun që sjell vonesa në korrje, si në cilësinë , ashtu edhe në ruajtjen e prodhimit.
“Ka filluar së fundmi në Bashkinë Libohovë, Gjirokastër dhe Përmet, por koha më shi bëri që të stopohej puna. Kjo periudhë është pak e vështirë edhe si pasojë e kushteve të paqëndrueshme klimatike. Kjo mund të ndikojë edhe tek pjesa e prodhimit të misrit sepse pëson mykje”, tha agronomi Elvis Tosuni.
Në qarkun e Gjirokastrës janë të kultivuara rreth 1,100 hektarë tokë me misër, me sipërfaqen më të madhe të përqendruar në zonën e Dropullit, e cila njihet për tokat pjellore dhe aktivitetin bujqësor.
– YouTube youtu.be