Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se gjatë kohës sa ai ka qenë kryetar i kësaj komune, kanë ndodhur investime, hapje dhe rritje të bizneseve në mënyra të ndryshme.
Gjini tha se Gjakova ka arritur të jetë eksportuesi më i madh në Kosovë për vite me radhë, teksa tha se meritë për këtë është “Devolli Corporation”.
Ai tha se kjo korporatë ka bërë që Gjakova të ketë mbi 52 për qind të eksportit total të krejt Kosovës.
“Po rritet Devolli sërish, po shihet rikthimi”.
“Por, ka edhe kompani të tjetra që janë shndërruar në eksportues permanent dhe s’janë eksporte të thjeshta, janë të komplikuara. Janë elektronike, metale fine, pajisje të ujësjellësit, pra janë produkte finale që eksportohen prej Gjakovës. Bizneset e kanë gjetur veten”, tha Gjini në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Tutje, ai pati kritika edhe për qeverinë, pasi tha se në vitin 2021, asambleja komunale e Gjakovës ka marrë vendimin për shpronësimin e 50 hektarëve tokë për krijimin e Zonës Ekonomike, por që nga ajo kohë s’kanë marrë përgjigje nga qeveria.
“Te Zona Ekonomike nuk kemi mbërri ta bëjmë, pasi në vitin 2021, komuna i ka shpronësuar 50 hektarë tokë të AKP-së dhe për këta 50 hektarë tokë nuk na është kthyer përgjigja nga Qeveria, sepse kur pronat janë të AKP-së, qeveria duhet ta marrë vendimin përfundimtar”.
“Nuk na është kthyer përgjigja deri në këtë ditë. Nuk e kemi marrë atë letër, një vendim formal dhe unë befasohem. Bile, në një takim i kam thënë kryeministrit se nëse komunat performojnë më mirë gjatë mandatit tënd është edhe meritë e jotja”, tha Gjini.
The post Gjini flet për “Devolli Corporation” dhe investimet e jashtëzakonshme në Gjakovë appeared first on Klan Kosova.