Gjiganti i lojërave video, Electronic Arts, blihet nga arabët për 55 miliardë dollarë

news image

Kompania Electronic Arts (EA), një nga gigantët e industrisë globale të video-lojërave, është shitur për 55 miliardë dollarë në një marrëveshje që cilësohet si më e madhja e financuar me borxh në historinë e industrisë.

Kjo blerje e bën EA-në një kompani private, pasi të gjitha aksionet e saj do të tërhiqen nga tregu.

Marrëveshja është realizuar nga një konsorcium që përfshin Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), Silver Lake dhe Affinity Partners të Jared Kushner, raporton BBC.

Çmimi për aksion është 210 dollarë, që përfaqëson një premium prej 25 për qind mbi vlerën aktuale të tregut. Pjesa më e madhe e financimit do të vijë nga borxhi, rreth 36 miliardë dollarë, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga investitorët.

EA ka një histori mbi 40-vjeçare dhe është e njohur për seritë e saj të suksesshme si EA FC, The Sims dhe Mass Effect. Seria EA FC ka shitur 325 milionë kopje që nga viti 1993, The Sims mbi 200 milionë dhe Need for Speed mbi 150 milionë.

Andrew Wilson do të vazhdojë të udhëheqë EA-në si CEO. Ai e cilësoi marrëveshjen si një “njohje të fuqishme” për punën e kompanisë dhe shprehu angazhimin për të krijuar përvoja transformuese për brezat e ardhshëm.

Megjithatë, ka shqetësime në industrinë e lojërave. Eksperti Christopher Dring thekson se borxhi i madh i krijuar mund të ndikojë në investimet e ardhshme të EA-së dhe të çojë në më shumë shkurtime të stafit. Ai gjithashtu paralajmëron se presioni për të gjeneruar të ardhura mund të ndikojë në zhvillimin e lojërave të reja.

Kjo blerje është një hap i rëndësishëm në strategjinë e Arabisë Saudite për të zgjeruar ndikimin e saj në industrinë e lojërave, pas investimeve të mëparshme në kompani si Niantic dhe Take-Two Interactive.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/