Përzgjedhësi i ekipit kombëtar të Gjermanisë në basketboll, spanjolli Alex Mumbru, ka njoftuar se nuk do të ushtrojë në mënyrë aktive detyrat e tij deri në fund të EuroBasketit, që po zhvillohet në Riga të Letonisë.
Arsyeja është gjendja e tij shëndetësore, pasi ai u përball me një infeksion akut që e detyroi të shtrohej në spital dhe të mungonte në një pjesë të fazës së grupeve.
Në mungesë të tij, detyrën e përzgjedhësit e mori ndihmësi Alan Ibrahimagic, i cili vazhdon të drejtojë skuadrën edhe më tej. Edhe pse Mumbru u rikthye në stol për ndeshjen e raundit të 1/16-tave, ku Gjermania triumfoi bindshëm 85-58 ndaj Portugalisë, ai ka vendosur të mos marrë më rolin aktiv të përzgjedhësit deri në fund të turneut.
Mumbru dhe Ibrahimagic
“Nuk jam fizikisht i gatshëm për të kryer detyrat e përzgjedhësit dhe në këtë situatë është më mirë që punën t’ia lë asistentit tim, tek i cili kam besim të plotë. Do të jem pranë ekipit, në stol, i gatshëm të ndihmoj sa më shumë që të mundem”, deklaroi Mumbru.
Gjermania tashmë ka siguruar një çerekfinale të madhe kundër Sllovenisë, që eliminoi Italinë. Pas eliminimit befasues të Serbisë dhe Francës, gjermanët janë kthyer në favoritët kryesorë për të fituar medaljen e artë.
Ata kanë zhvilluar një kampionat perfekt deri më tani, me shtatë fitore në shtatë ndeshje. /Telegrafi/