Gjermania kualifikohet në finalen e EuroBasket pas 20 vitesh pritje, Finlanda e Edon Maxhunit luan për vendin e tretë

Gjermania kualifikohet në finalen e EuroBasket pas 20 vitesh pritje, Finlanda e Edon Maxhunit luan për vendin e tretë

Basketbollistët e Gjermanisë kanë shkruar histori, duke u kualifikuar për herë të parë pas dy dekadash në finalen e EuroBasketit, falë fitores 98:86 ndaj Finlandës.

Ndeshja nisi më mirë për finlandezët, të cilët pas katër minutash lojë kishin epërsi 14:6. Megjithatë, gjermanët reaguan fuqishëm me një seri 20:5 dhe përmbysën rezultatin në 26:19. Çereku i parë u mbyll 30:26 për kampionët e botës.


Në fillim të pjesës së dytë, Gjermania arriti epërsinë dyshifrore (36:26), ndërsa diferenca më e madhe u regjistrua në minutën e 17-të kur shkuan në +19 (49:30). Pjesa e parë përfundoi me shifrat 61:47.

Në çerekun e tretë, Finlanda tentoi të rikthehej duke afruar rezultatin në 77:71, por nuk pati forcën për përmbysje. Gjermania ruajti epërsinë dhe në dhjetë minutat e fundit e menaxhoi me sukses ndeshjen për të vulosur kualifikimin historik.

Lideri i skuadrës, Dennis Schroder, shkëlqeu me 26 pikë, 5 kërcime dhe 12 asistime, ndërsa Franz Wagner kontribuoi me 22 pikë e 5 kërcime. Për Finlandën, më të dalluarit ishin Olivier Nkamhoua (21 pikë, 9 kërcime) dhe Lauri Markkanen (16 pikë, 8 kërcime). Edon Maxhuni e mbylli ndeshjen me 9 pikë, 3 asistime dhe 1 kërcim.

Në finale, Gjermania do të përballet me fituesin e duelit të mbrëmjes ndërmjet Greqisë dhe Turqisë, që zhvillohet sonte në orën 20:00. Ndeshja finale do të luhet të dielën në orën 20:00, ndërsa dueli për vendin e tretë do të zhvillohet po atë ditë, katër orë më herët. /Telegrafi/