Gjermania do të mbështesë planin e Arabisë Saudite dhe Francës për shtetin palestinez

news image

Qeveria e Gjermanisë ka vendosur të mbështesë një propozim të përbashkët të Francës dhe Arabisë Saudite për një zgjidhje me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, sipas burimeve të afërta me këtë plan. Gjermania pritet të votojë për Deklaratën e Nju Jorkut në një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, që pritet të miratohet të premten.

Deklarata, e cila synon krijimin e një shteti palestinez, gjithashtu përfshin të drejtën e kthimit për refugjatët palestinezë, por qeveria gjermane thekson se kjo e drejtë duhet të negociohet dhe nuk do të njohë për momentin shtetësinë palestineze, në dallim nga Franca dhe Britania, shkruajnë mediat e huaja.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka kritikuar këtë shtytje për njohje si “të pamatur”.

Në rezolutë përfshihet edhe dënimi i vrasjeve dhe marrjes së pengjeve nga Hamasi në tetor 2023, si dhe kërkesa që Hamasi të mos vazhdojë të qeverisë në Gazë.

Qeveria gjermane ka dënuar gjithashtu sulmin e paprecedent të Izraelit në kryeqytetin e Katarit, duke u bashkuar me reagimet e gjera evropiane.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/