Një burrë gjerman, i dyshuar për përfshirje në zhdukjen e vogëlushes britanike Madeleine McCann 18 vjet më parë, është liruar nga burgu të mërkurën në mëngjes, pasi kreu dënimin për një rast tjetër.
Christian Brückner kishte qenë duke vuajtur një dënim prej shtatë vjetësh burgim, i shqiptuar në vitin 2019 për përdhunimin e një gruaje 72-vjeçare amerikane në Portugali.
Shtetasi gjerman, 48 vjeç, nuk është akuzuar kurrë për ndonjë krim që lidhet me rastin McCann, shkruan BBC. Ai mohon çdo përfshirje. Madeleine u zhduk në vitin 2007 në vendpushimin portugez të Praia da Luz.
Në atë kohë, ajo ishte lënë duke fjetur në apartamentin e pushimeve së bashku me vëllezërit e motrat, ndërsa prindërit e saj, Kate dhe Gerry, kishin shkuar në një restorant aty pranë. Zhdukja e saj është bërë një nga rastet më të njohura dhe më të pazgjidhura të personave të zhdukur në botë.
Prokurorët gjermanë kanë përmendur disa prova – përfshirë të dhënat e telefonisë celulare – që sugjerojnë se Brückner mund të ketë qenë në zonë në kohën kur ajo u zhduk, duke theksuar se ata besojnë se ai është përgjegjës. Megjithatë, deri më tani nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për ngritjen e një akuze.
Brückner, i cili kaloi shumë vite në Algarve, ka qenë endacak dhe kriminel me një të kaluar të errët. Ai është i dënuar për ngacmim seksual dhe ka disa precedentë penalë, përfshirë raste të abuzimit seksual të fëmijëve në vitet 1994 dhe 2016.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!