Një rast i raportuar më herët si zhdukje e dyshimtë e një veture në parkingun e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka marrë një zhvillim të ri.
Burime bëjnë të ditur se vetura e tipit Golf VIII, me ngjyrë hiri, e cila ishte raportuar e zhdukur më 28 mars 2026 në parkingun nr. 25, tashmë është gjetur.
Sipas informacioneve, automjeti është lokalizuar pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia, pasi ishte futur në listën e kërkimit (“stop listë”).
Rasti fillimisht ishte raportuar nga pronarët me inicialet G. dhe B.V., të cilët e kishin dhënë veturën me qira. Sipas marrëveshjes, automjeti duhej të lihej në parking me çelësat e vendosur te goma, por më pas nuk ishte gjetur në vendin e caktuar.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se vetura ishte marrë gabimisht.
Klientët e kishin kthyer veturën në mënyrë të rregullt në parkingun e aeroportit, ndërsa disa shtetas turq, duke parë veturën dhe çelësin, kishin hipur në të nga pakujdesia dhe kishin vazhduar rrugën deri në Prizren.
Vetura është gjetur më pas në Prizren, në parkingun para banesës së shtetasve turq, dhe u është dorëzuar pronarëve në procedurë të rregullt përmes procesit “sekuestrim–dorëzim”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë eventuale të personave të përfshirë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


