Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka prezantuar planin e tij për rikthimin e jetës dhe gjelbërimit në kryeqytet.
Ai tha se për shumë kohë në Prishtinë është ndërtuar pa plan e pa kontroll, duke përjashtuar qytetarët nga hapësirat publike dhe gjelbërimi.
“Mijëra banorë janë shtuar, ndërsa hapësirat e gjelbra janë tkurrur vit pas viti. Familjet tona janë përjashtuar nga rrugët, nga sheshet dhe nga hapësirat. Jeta e tyre është kthyer brenda katër mureve të banesave të tyre. Kjo nuk është drejtësi,” tha ai.
Ismaili u zotua se pas 12 tetorit do të vendosë një standard të ri për kryeqytetin.
Secila lagje në Prishtinë ta ketë parkun, këndin e lojërave apo hapësirën e gjelbër në distancë më së largu prej 300 metra nga shtëpia.
“Ky është standardi që do të kthejë baraspeshën mes ndërtimeve dhe jetës së qytetarëve.Prishtina ka nevojë për frymëmarrje të re dhe kjo fillon nga hapësirat e përbashkëta të gjelbërta dhe komunitare – nga pemët e mbjella në çdo rrugë, nga një park në çdo lagje dhe nga një terren lojërash vetëm disa hapa nga dera e çdo shtëpie. Nuk do të kemi më Prishtinë të betonit, por Prishtinë të njerëzve,” tha Ismaili.
Në planin e Ismailit, janë të parapara parqe të reja dhe hapësira të gjelbra në çdo pjesë të kryeqytetit, përfshirë: Parqe të reja në Dardani, Ulpianë dhe Bregun e Diellit mbi parkingjet nëntokësore që do të ndërtohen gjatë mandatit të tij.
Dy parqe të reja në Kodrën e Trimave; – Parkun Jugor të Prishtinës në Kalabri, me sipërfaqe prej 12 hektarësh; – Hapësira të reja të gjelbra në Bardhosh dhe Hajvali.
Në këtë konferencë ka folur edhe kandidatja për Asamble, Jeta Kalaveshi, e cila ndau përvojën e saj personale si nënë.
“Në lagjen ku jetoj nuk ka park, nuk ka hapësira të gjelbra ku fëmijët e mi mund të luajnë. Shpesh përfundojmë në qendra tregtare, sepse aty gjejmë hapësirë. Kjo nuk është e drejtë. Fëmijët tanë nuk duhet të varen nga një udhëtim me veturë për të pasur një vend ku të luajnë,” tha ajo